Policia e Shtetit të Virxhinias reagon ndaj thashethemeve virale për 50 fëmijë të zhdukur
Policia e Shtetit të Virxhinias ka lëshuar një deklaratë publike pas përhapjes së thashethemeve në rrjetet sociale, ku pretendohej se 50 fëmijë ishin zhdukur në këtë shtet gjatë 10 ditëve të fundit.
Video të shumta virale në TikTok, Facebook dhe rrjete të tjera sociale kanë përhapur pretendimin për një “valë rrëmbimesh masive” në Virxhinia, duke shkaktuar panik dhe frikë te përdoruesit. Këto postime kanë marrë miliona shikime dhe janë shpërndarë gjerësisht.
Një përdorues i Facebook-ut shkroi:
“50 fëmijë janë zhdukur për 10 ditë në Virxhinia dhe askush nuk po flet për këtë. Është e pabesueshme. Ne nuk po i mbrojmë fëmijët tanë dhe kjo është e trishtë.”
Një tjetër shtoi:
“Më shumë se 50 fëmijë janë zhdukur në më pak se dy javë në shtetin e Virxhinias. Zonat më të prekura janë NoVA, Newport, Virginia Beach dhe Norfolk. Nuk ka raportime në media, asnjë Amber Alert, asnjë informacion mbi këta fëmijë të zhdukur! Mosha e tyre varion nga 12 deri në 17 vjeç. Një ishte vetëm 12 vjeç, ndërsa pjesa tjetër 16–17 vjeç.”
Një postim tjetër shkruante:
“50 fëmijë në 10 ditë janë zhdukur në Virxhinia. Ndajeni këtë, përhapeni fjalën, kini kujdes nga ambienti rreth jush. Uroj që të gjenden shëndoshë e mirë.”
Një tjetër komentonte:
“Fëmijët po zhduken në çdo cep të Virxhinias tani dhe nuk po dëgjoni asgjë në lajme. Ne duhet të jemi vetë media jonë! Ja ku janë fotot, nëse shihni diçka, tregoni. Duhet të kujdesemi për njëri-tjetrin. Nuk ka si të mos ketë parë askush kur këta fëmijë po zhdukeshin. Flisni! Janë rrëmbyer mbi 50 fëmijë muajin e fundit dhe askush nuk ka parë asgjë?! Filloni të mbroni çdo fëmijë, jo vetëm tuajin.”
Policia e Virxhinias sqaron:
Përballë panikut në rritje online, Policia e Shtetit të Virxhinias doli me një deklaratë zyrtare:
“Policia e Shtetit të Virxhinias është në dijeni të postimeve të shumta në rrjetet sociale që shprehin shqetësime për fëmijët e zhdukur në të gjithë Commonwealth of Virginia. Policia e Virxhinias nuk po heton asnjë rast rrëmbimi masiv në shtet, dhe nuk ka asnjë provë që rrëmbime të tilla po ndodhin në Virxhinia,” thuhet në njoftim.



