Monday, May 4, 2026
Google search engine
BallinaEkonomiFitimi i investitorëve të huaj pësoi rënie në 2025, pa katër vitesh

Fitimi i investitorëve të huaj pësoi rënie në 2025, pa katër vitesh


Fitimet e investitorëve të huaj në Shqipëri pësuan një rënie të vogël vitin e kaluar, pas katër vitesh radhazi në rënie.

Të dhënat e Bilancit të Pagesave tregojnë se të ardhurat e investitorëve të huaj nga investimet për vitin 2025 arritën vlerën e 1.068 miliardë eurove, në rënie me 3.8% krahasuar me një vit më parë. Kjo shumë përfshin fitimet e shpërndara ose të riinvestuara të investitorëve të huaj në vendin tonë.

Nëse nga shuma totale e të ardhurave nga investimet zbresim vlerën e fitimeve të riinvestuara (837 milionë euro), shuma e tërhequr nga investitorët e huaj vitin e kaluar mund të llogaritet në 231 milionë euro, me një rënie prej 9.8% krahasuar me vitin 2024.

Në kahun e kundërt, flukset hyrëse të të ardhurave nga investimet (të ardhurat e ekonomisë shqiptare nga investimet jashtë vendit) për vitin 2025 u rritën në 305 milionë euro, 3.7% më shumë krahasuar me vitin 2024.

Bilanci neto i të ardhurave nga investimet ishte gjerësisht negativ në vlerën e 765 milionë eurove. Megjithatë, deficiti u tkurr me 6.3% krahasuar me vitin 2024.

Investimet e huaja në Shqipëri janë shumë më të mëdha se investimet shqiptare jashtë vendit, ndaj bilanci neto i të ardhurave nga investimet ka qenë historikisht negativ.

Rimëkëmbja e shpejtë të ekonomisë pas pandemisë ka sjellë efekte pozitive edhe për ndërmarrjet e huaja që veprojnë në Shqipëri, duke ndikuar në rritjen e fitimeve.

Një pjesë e mirë e rritjes mund t’i atribuohet forcimit të Lekut në kursin e këmbimit me Euron.

Ndërmarrjet e huaja në përgjithësi i sigurojnë të ardhurat e tyre në Lekë, ndërsa fitimet për aksionarët i shpërndajnë në valutë të huaj. Forcimi i Lekut ka bërë që e njëjta sasi e monedhës vendase të përkthehet në një vlerë më të lartë në valutë të huaj, kryesisht në Euro.

Për këtë arsye, mes aktorëve që kanë përfituar nga rënia e Euros në kursin e këmbimit, janë edhe investitorët e huaj.

Duke qenë se një pjesë e mirë e fitimeve nuk shpërndahen, por riinvestohen, forcimi i Lekut, në mënyrë të tërthortë, ka ndikuar edhe në rritjen e investimeve të huaja në vitet e fundit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, për vitin 2025 fitimi i riinvestuar arriti në 837 milionë euro ose pothuajse sa 51% të totalit të investimeve të huaja direkte.

Megjithatë, kjo tendencë rritëse e fitimeve të investitorëve të huaj duket se është frenuar vitin e kaluar, duke sinjalizuar ndoshta arritjen e pikut të efekteve të ciklit pozitiv që ndoqi ekonomia shqiptare pas pandemisë, por edhe ngadalësimin e efekteve të lidhura me forcimin e Lekut në kursin e këmbimit valutor.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye mesatarisht vitin e kaluar me 97.85 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë. Megjithatë, shkalla e rënies së kursit në 2025 ishte ndjeshëm më e ulët krahasuar me dy vitet e mëparshme. Për vitin 2025, kursi mesatar zyrtar i këmbimit Euro-Lek pësoi një rënie me 2.8%, nga 7.4% që kishte qenë rënia gjatë vitit 2024 dhe 8.6% që kishte qenë rënia gjatë vitit 2023.

Burimi: Banka e Shqipërisë

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.



Source link

Artikuj te ngjashem
- Advertisment -
Google search engine

Me Te Klikuarat