Në një kohë kur Shqipëria po kërkon të zgjerojë ofertën përtej turizmit bregdetar, rafting po konsolidohet si një nga segmentet më tërheqës të aventurës.
Kampionati Kombëtar i Rafting 2026, i zhvilluar më 29 mars në Parkun Kombëtar të Lumit Vjosa, konfirmoi këtë trend, duke mbledhur rreth vetes pjesëmarrës vendas dhe ndërkombëtarë që gjallëruan zonën përgjatë rrjedhës.
Eventi, tashmë në edicionin e tij të 10-të, shënon kulmin e trajnimeve vjetore për guidat, një element kyç për standardet e sigurisë dhe cilësisë. “Rafting është kthyer në një shtyllë të turizmit të aventurës dhe sjell të ardhura për një zinxhir të gjerë biznesesh lokale,” tha kreu i Federatës Shqiptare të Rafting, Zamo Spathara.
Përfshirja e ekipeve nga Europa, siç ishin grupe nga Hungaria dhe Mbretëria e Bashkuar, shënon një pikë të rëndësishme në profilin ndërkombëtar të Shqipërisë në këtë segment. Ndërkohë, pjesëmarrja e vajzave u trefishua këtë vit.
Sipas trajnerit ndërkombëtar Andrea Gatti, progresi teknik i guidave shqiptare është i dukshëm. “Standardet janë përmirësuar ndjeshëm dhe rafting në Vjosë është tashmë një produkt i qëndrueshëm turistik” nënvizoi ai.
Kampionati ka një ndikim përtej sportit përfaqësues të eventit thanë se synimi është që modeli që po ndiqet me Vjosën që përcjell efekt në gjithë zonën sidomos në Përmet të aplikohet edhe në lumenj të tjerë në vend siç janë Drini i Zi. Të gjitha këto gjallërojnë ekonomitë lokale duke nxitur aktivitete nga akomodimi dhe gastronomia, te shërbimet mbështetëse dhe artizanati. Me statusin e Parkut Kombëtar, Vjosa po pozicionohet si një aset strategjik për turizmin e aventurës. “Synojmë ta zgjerojmë këtë hartë edhe në lumenj të tjerë, duke shpërndarë përfitimet ekonomike në më shumë rajone,” tha zëvendës presidenti i federatës, Sokol Sava.
Teksa sezoni turistik merr një dinamikë më të fortë, kampionati shërben jo vetëm si garë sportive, por si një “vitrine” për një industri në rritje që po e kthen natyrën e egër të Shqipërisë në një avantazh.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.







