Monday, May 4, 2026
Google search engine
BallinaPolitikeMbrojtja e Veliaj zbardh çfarë ndodhi në gjyqin me Ols Dadon: Presidencës...

Mbrojtja e Veliaj zbardh çfarë ndodhi në gjyqin me Ols Dadon: Presidencës i mungojnë dokumentet e zgjedhjes së tij.. – Sot News


Plarent Ndreca, avokati mbrojtës i kryebashkiakut Erion Veliaj, ka dalë me një deklaratë sqaruese për dy proceset gjyqësore që janë zhvilluar sot; ai në Gjykatën e Posaçme dhe përballja në Administrative me prokurorin e SPAK, Ols Dado.

Përsa i përket rastit të dytë, për të cilin ka dhe më tepër interes aktualisht, Erion Veliaj ka kërkuar përmes avokatit mbrojtës konstatimin e pavlefshmërisë absolute të emërimit të Ols Dado si prokuror i Republikës.

“Mbrojtja argumentoi legjitimin aktiv të paditësit dhe theksoi se pavlefshmëria absolute nuk lidhet me afate, nuk kufizohet nga juridiksioni dhe konsiderohet si një akt që nuk ka ekzistuar kurrë. Njëkohësisht, u evidentuan pasojat e rënda të këtij akti, si në plan individual për paditësin, ashtu edhe në plan institucional për Bashkinë Tiranë, e cila, si pasojë e masës së sigurimit të kërkuar nga i padituri, është privuar nga drejtimi i kryetarit të zgjedhur në mënyrë demokratike”, thotë deklarata.

Plarent Ndreca thekson se gjatë seancës u evidentuan, në formën e pohimeve gjyqësore, këto elemente: mungesa e dokumentacionit në Presidencë për procesin e përzgjedhjes së z. Dado; pranimi nga përfaqësuesit e Presidencës se, nëse kjo procedurë do të zhvillohej sot, nuk do të konfirmohej i njëjti emërim dhe përfshirja e z. Artur Metani në dy role që ngre çështje serioze të konfliktit të interesit.

“Në përfundim, gjykata ngarkoi palën paditëse me detyrën për të thirrur Këshilli i Lartë i Prokurorisë në cilësinë e palës së paditur, brenda një afati 20-ditor”, shkruan ai.

Avokati mbrojtës i kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës thotë se ata janë të vendosur ta çojnë këtë proces deri në fund, sepse nuk lidhet vetëm me emrin e një prokurori, por me funksionimin e shtetit të së drejtës, barazinë para ligjit dhe aftësinë e sistemit për të korrigjuar vetveten.

“Pasojat e kësaj çështjeje nuk janë vetëm individuale ndaj Erion Veliajt, por prekin një qytet të tërë, i cili po përballet me ndërprerjen e ushtrimit të detyrës së një kryetari bashkie të zgjedhur tre herë nga qytetarët, si pasojë e veprimeve të një individi që ushtron në mënyrë të paligjshme funksionin e prokurorit të Republikës”, vijon deklarata.

Ndërkohë, përsa i përket procesit tjetër penal, avokati mbrojtës i kryebashkiakut Erion Veliaj, sqaron:

“Në seancën e orës 09:00, mbrojtja paraqiti veprimet e kryera që nga legjitimimi më 24.03.2026, për njohjen me një dosje që përmban mbi 60,000 faqe dhe mijëra prova. Gjatë seancës, për shkak të mungesës së mbrojtësit të zgjedhur nga një prej të pandehurve, gjykata caktoi një mbrojtës kryesisht, i cili shprehu gatishmërinë për të vijuar menjëherë procesin, pavarësisht mungesës së njohjes me akuzën dhe provat voluminoze. Kjo situatë u kundërshtua nga mbrojtja si një formë mbrojtjeje jo efektive dhe formale, ndërsa nga ana e organit të akuzës, në vend të mbrojtjes së rregullshmërisë së procesit, u ndërmor një qëndrim sulmues ndaj avokatëve që ngritën këto shqetësime.

Në këto kushte, i kërkuam gjykatës një afat dy javor për analizimin profesional të dosjes dhe përgatitjen e strategjisë së mbrojtjes, pasi një mbrojtje efektive nuk mund të realizohet në një afat më të shkurtër. Gjykata e pranoi kërkesën dhe na dha afatin e kërkuar.”



Burimi sot.com.al

Artikuj te ngjashem
- Advertisment -
Google search engine

Me Te Klikuarat