Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kërkon interpelancë me Ministrin e Energjisë, Enea Karakaçi për të dhënë shpjegime mbi masat e marra për përballimin e një krize të mundshme energjetike dhe garantimin e furnizimit me karburant.
Interpelanca është kërkuar nga deputeti demokrat Enno Bozdo dhe vjen pas luftës në Lindjen e Mesme që ka sjellë rritje çmimesh, veçanërisht të karburanteve. Demokratët i referohen edhe paralajmërimeve nga institucionet ndërkombëtare.
“Nisur nga situata ndërkombëtare e shkaktuar nga lufta në Iran, situatë e cila ka ndikuar në rritjen e shpejtë të çmimeve të energjisë, veçanërisht të naftës dhe derivateve të saj;
Opozita kërkon transparencë nga qeveria për mënyrën se si po menaxhohet situata, duke vënë në dukje edhe deklaratat e kryeministrit për krijimin e një modeli të ri të rezervave energjetike dhe ngritjen e një kompanie shtetërore për tregtimin e naftës.
“Nisur nga fakti që Kryeministri ka folur për një model të ri për mbajtjen e Rezervës energjetike të sigurisë si dhe për themelimin e një kompanie shtetërore që do të hyjë në tregun e tregtimit të naftës dhe derivative të saj;
Nisur nga fakti që situata ndryshon me shumë shpejtësi dhe kemi hyrë në një emergjencë të vërtetë të përballjes me këtë krizë;
Për sa më sipër, Shqipërisë i dalin përpara detyra të mëdha për përgatitjen për një krizë energjetike e cila do të kërkonte angazhim të madh shtetëror, e veçanërisht masa konkrete të Ministrisë së Energjetikës për çështje të garantimit të furnizimit me karburant, të menaxhimit të duhur të Rezervës së Sigurisë dhe të koordinimit institucional me BE dhe IEA.
Prandaj, duke pasur parasysh sa më sipër, në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, bazuar në nenin 80, pika 1 të Kushtetutës dhe nenin 96, pikat 1 dhe 2 të Rregullores së Kuvendit, kërkoj zhvillimin e një interpelance urgjente me Ministrin Energjetikës dhe Transportit, për të dhënë shpjegime dhe informacione lidhur me sa më lart”, thuhet në kërkesë.
Sipas PD-së, vendi po përballet me një emergjencë reale që kërkon masa konkrete dhe koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, për të garantuar furnizimin me karburant dhe menaxhimin e rezervave të sigurisë.



