Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për përcaktimin e kushteve të negociimit të shoqërisë shtetërore “KAYO”, me partnerë privatë, me synim krijimin e një shoqërie aksionare të përbashkët në industrinë e mjeteve fluturuese pa pilot. Sipas vendimit, shoqëria “KAYO” do të mbajë jo më pak se 25% të aksioneve në këtë bashkëpunim, ndërsa do të kontribuojë me pasuri të paluajtshme në një sipërfaqe prej të paktën 1 000 metrash katrorë, që do të vihet në dispozicion të aktivitetit të shoqërisë së re.
Nga ana tjetër, partneri privat duhet të garantojë një investim minimal prej 30 milionë eurosh brenda tre viteve, si dhe hapjen e të paktën 35 vendeve të reja pune në të njëjtën periudhë. Po ashtu, ai duhet të sigurojë linjat teknologjike për prodhimin e mjeteve pa pilot dhe rrjetin e shpërndarjes për eksport. Objekti i aktivitetit të shoqërisë së re do të përfshijë prodhimin, montimin, riparimin dhe tregtimin e mjeteve fluturuese pa pilot, ndërsa drejtimi i saj do të bëhet në bashkëpunim mes palëve. Administratori do të zgjidhet me dakordësi të “KAYO”-s, ndërsa të paktën 30% e strukturave drejtuese do të emërohen nga pala shtetërore.
Vendimi parashikon gjithashtu të drejtën e vetos për shoqërinë shtetërore “KAYO” në çështje të caktuara, si dhe garantimin e sigurisë fizike të personelit dhe infrastrukturës nga Forcat e Armatosura. Ky zhvillim vjen në kuadër të ligjit për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e pajisjeve dhe teknologjive ushtarake, duke synuar rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe teknologjike në vend.



