Sunday, May 3, 2026
Google search engine
BallinaEkonomiRritet kërkesa për blerje pronash në resorte

Rritet kërkesa për blerje pronash në resorte


Flet Ermira Brozi, drejtoreshë e shitjeve të “Concord Investment”

 

Kërkesa për blerje pronash në resortet e ndërtuara në zonat bregdetare është me rritje edhe këtë vit, sipas drejtoreshës së shitjeve në “Concord Investment”, Ermira Brozi.

Zonja Brozi thotë se kostot në rritje të ndërtimit për zhvillimin e projekteve që tejkalojnë standardet bazë, si dhe kërkesat në rritje e blerësve ndërkombëtarë kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e standardeve, për rrjedhojë edhe të çmimeve.

 

Cilat janë projektet e reja të grupit “Concord Investment” për ndërtim apartamentesh dhe vila në bregdet?

Aktualisht, Grupi Concord vazhdon të konsolidohet si një nga referencat kryesore në zhvillimet rezidenciale në bregdetin shqiptar. Pas suksesit të projekteve si “San Pietro” në Gjirin e Lalëzit, grupi ka vijuar me zhvillimin e “San Nicolas” në Dhërmi, tashmë edhe në fazën e dytë të tij.

Sot, Concord prezanton një hap të ri dhe ambicioz me prezantimin e projektit më unik të konceptuar deri më tani në Shqipëri, Marina Orikum, marina e parë e këtij lloji në vend.

Ky projekt synon të transformojë zonën në një destinacion të mirëfilltë lifestyle, duke ngritur standardet e jetesës dhe investimit në një nivel të ri.

Ajo që e bën Marina Orikum veçanërisht të dallueshme është qasja arkitekturore inovative, e kombinuar me shkallën dhe madhësinë e projektit, duke e pozicionuar si një nga zhvillimet më të mëdha të këtij koncepti në Shqipëri.

Projekti përfshin mbi 1000 njësi rezidenciale, tre hotele nën menaxhimin e markave ndërkombëtare, një yacht club dhe një përzgjedhje të kuruar të shërbimeve retail me markat më të kërkuara për këtë stil jetese.

Për herë të parë, Concord largohet nga format tradicionale me fasada lineare dhe prezanton një koncept me forma organike dhe fasada ovale, të menduara në harmoni të plotë me karakterin e marinës.

Kjo qasje jo vetëm i shërben funksionalitetit dhe estetikës së projektit, por krijon edhe një identitet unik, që pritet të mbetet një pikë referimi për zhvillimet e ardhshme në Shqipëri.

 

Për sa i përket tendencës së kërkesës për blerje apartamentesh dhe vila, a ka pasur luhatje krahasuar me vitin e kaluar? A është në rritje apo në rënie kërkesa për blerje?

Kërkesa për blerje vijon të jetë në rritje, veçanërisht në segmentin e resorteve dhe pronave në bregdet. Kjo rritje ka sjellë natyrshëm edhe një trend në rritje të çmimeve krahasuar me vitin e kaluar.

Ndër faktorët kryesorë që ndikojnë këtë trend janë rritja e kostove të ndërtimit, si në aspektin e volumit ashtu edhe në standardet e kërkuara. Sot, zhvillimet nuk fokusohen më vetëm te ndërtimi bazë, por te krijimi i një lifestyle të plotë, që përfshin lehtësi, shërbime dhe përvojë jetese.

Gjithashtu, orientimi drejt tregjeve të huaja dhe kërkesat më të larta të klientëve ndërkombëtarë kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e standardeve dhe, si rrjedhojë, edhe të çmimeve.

 

Nga të dhënat, cila kategori dominon kërkesën për blerjen e pronave në bregdet, të huajt apo vendasit?

Kërkesa nga blerësit e huaj është në rritje të vazhdueshme nga viti në vit, veçanërisht nga tregje si Norvegjia, Polonia, Çekia, dhe në një masë më të moderuar nga Italia dhe Gjermania.

Megjithatë, aktualisht kërkesa kryesohet ende nga diaspora shqiptare, nga vende si Gjermania, Zvicra, Anglia, SHBA dhe Franca.

Për të arritur një rritje më të ndjeshme dhe të qëndrueshme të blerësve të huaj, janë dy elemente kyçe:

  • Siguria juridike e pronës, ku investitorët kërkojnë certifikatë pronësie të qartë dhe garanci institucionale, jo vetëm nga zhvilluesi
  • Kthimi i investimit (ROI), i cili duhet të jetë i strukturuar dhe i komunikuar qartë

Ndërkohë, Shqipëria ofron potencial të lartë në këtë drejtim, por kërkon një qasje më të fortë në komunikim dhe Media PR ndërkombëtare, veçanërisht për të rritur perceptimin e sigurisë dhe besimit tek investitorët e huaj.

 

Nga konstatimet tuaja, cilat tipologji të pronave po kërkohen më tepër për qëllime banimi, apartamentet apo vilat?

Aktualisht, tregu në Shqipëri ka kaluar nga koncepti tradicional i “shtëpisë së dytë” drejt një qasjeje më të orientuar tek investimi. Blerësit sot janë më të fokusuar në vendimmarrje racionale, ku përparësi është kthimi i investimit (ROI) dhe minimizimi i riskut.

Nga eksperienca ime, investimet në vila në bregdet ofrojnë potencial më të lartë kthimi krahasuar me pronat në zonat urbane, ku dominon preferenca për apartamente.

Kjo lidhet me kërkesën në rritje për produkte premium dhe përvoja lifestyle, sidomos nga tregu ndërkombëtar.

Megjithatë, edhe pse interesi për vila është i lartë, numri më i madh i transaksioneve realizohet me apartamente. Kjo jo për shkak të mungesës së kërkesës për vila, por për arsye të buxheteve më të përballueshme që kanë një pjesë e madhe e investitorëve.

 

Në raport me vjet, si kanë ndryshuar çmimet e shitjes së apartamenteve dhe vilave? A ka pasur rritje të tyre?

Po, çmimet kanë qenë në rritje të vazhdueshme, në linjë me rritjen e kërkesës, veçanërisht në segmentin e pronave në bregdet.

Vihet re që projektet që janë drejt përfundimit ose në faza të avancuara ndërtimi kanë kërkesë më të lartë krahasuar me ato në fazat fillestare (startup). Kjo lidhet me faktin që blerësit kërkojnë më shumë siguri dhe parapëlqejnë investime me kohë më të shkurtër pritjeje.

Nga ana tjetër, projektet në fazat fillestare kanë një fluks të lartë kërkese në 6-mujorin e parë të lançimit, ndërsa më pas, me rritjen graduale të çmimeve sipas tregut dhe avancimit të punimeve, shitjet kalojnë në një ritëm më të moderuar.

Sa i përket krahasimit me vitin e kaluar, ndryshimet në çmime varen nga projekti dhe faza e zhvillimit. Në projekte ku ndërtimi ka përparuar dhe standardi është konsoliduar, kërkesa është rritur ndjeshëm, duke reflektuar edhe rritje çmimesh.

Në disa raste, kjo rritje e kërkesës ka qenë deri në rreth 30–40% më e lartë krahasuar me vitin paraardhës, e shoqëruar edhe me rritje progresive të çmimeve.

 

Po për sa u përket kostove të ndërtimit, apo sjell shtrenjtimi i naftës rritje të çmimeve për lëndët e para në ndërtim për shkak të luftës në Lindjen e Mesme? Cilat janë efektet që po ndihen nga sektori?

Pa dyshim, zhvillimet gjeopolitike, përfshirë konfliktet dhe rritjen e çmimit të naftës, kanë ndikim të drejtpërdrejtë në sektorin e ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme.

Rritja e kostove të energjisë dhe transportit reflektohet në çmimet e lëndëve të para, duke sjellë një presion të vazhdueshëm në koston totale të ndërtimit.

Megjithatë, këto zhvillime kanë ndikuar edhe në sjelljen e investitorëve. Sot, blerësit janë më të orientuar drejt tregjeve që ofrojnë stabilitet, siguri dhe çmime konkurruese.

Në këtë kontekst, Shqipëria po pozicionohet gjithnjë e më shumë si një alternativë tërheqëse në rajon. Krahasuar me tregje fqinje si Mali i Zi, Kroacia apo Greqia, ajo ofron ende çmime më të përballueshme në bregdet, duke ruajtur një potencial të lartë rritjeje.

Si rrjedhojë, pavarësisht rritjes së kostove, sektori vazhdon të tregojë rezistencë dhe interes në rritje, veçanërisht nga investitorët që kërkojnë mundësi me raport të mirë risk–fitim.

 

 

Lexoni edhe:

Të huajt “pushtojnë” bregdetin, apartamentet arrijnë 6 mijë euro/m², vilat deri në 3 milionë euro

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.



Source link

Artikuj te ngjashem
- Advertisment -
Google search engine

Me Te Klikuarat