Procesi i integrimit europian të Shqipërisë është kthyer në një çështje që shërben vetëm si “retorikë politike dhe propagandë për të gënjyer qytetarët”, ndërsa veprimet e qeverisë akuzohen se e minojnë atë në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, në një intervistë televizive akuzoi kryeministrin për kriminalizim të ekonomisë, shpërdorim të fondeve europiane dhe kthimin e vendit në një qendër të krimit të organizuar.
Sipas Këlliçit, qeveria ka dështuar të tregojë vullnet real duke lejuar kriminalizimin e ekonomisë dhe e ka shndërruar kryeqytetin “në një lavatriçe të madhe të pastrimit të parave”.
Një nga pikat më të rënda të akuzës së Këlliçit lidhet me trafikun e lëndëve narkotike. Theksohet se për pesë vite, në Portin e Durrësit, porti më i madh në Ballkan, nuk është sekuestruar asnjë gram kokainë.
Ndërkohë, tre nga portet më të rëndësishme të Europës – Roterdami, Hamburgu dhe Antverpi – janë “përmbytur” me kokainë me origjinë nga Shqipëria. Kjo situatë lidhet drejtpërdrejt me pengesat që vendet përkatëse, Gjermania, Holanda dhe Belgjika, po ngrenë për integrimin e Shqipërisë.
Për më tepër, Tirana përshkruhet nga ligjvënësi demokrat si “laboratori kryesor” i vjedhjes së qytetarëve europianë përmes skemave të mashtrimit Forex dhe “call center-ave”.
Këto qendra mashtrimi thuhet se vjedhin sistematikisht qytetarë gjermanë, austriakë, italianë, spanjollë e britanikë.
Belind Këlliçi:
Mendoj që çështja e integrimit është një çështje që nuk ka ngjyra politike dhe nuk mund të ketë ngjyrim. Pra nuk mund të dalësh ti si PD dhe të thuash, po unë jam pro, apo dikush si PS të thotë unë jam kundër. Jo, jemi të gjithë bashkë në këtë rast. Unë mendoj që është nga të paktat raste që duhet të kemi konsensus.
As për këtë nuk ka, për shkak se është e pamundur të pretendosh me logjikë të thjeshtë që një kryeministër që ka kriminalizuar ekonominë e vendit, që ka kthyer kryeqytetin në një lavatriçe të madhe të pastrimit të parave, një kryeministër që ka shpopulluar vendin e tij, një kryeministër që në portin më të madh të Ballkanit, në portin e Durrësit, nuk sekuestrohet në pesë vite 1 gram kokainë e ndërkohë janë përmbytur me drogë nga Shqipëria, me kokainë nga Shqipëria, tre portet kyçe në Europë. është Roterdami, Hamburgu dhe Antverpi dhe janë tre vendet kyçe që deri tani kanë shtuar dhe kanë ngritur pengesa për integrimin e Shqipërisë, është Gjermania, është Belgjika, është dhe Holanda.
Nuk mundet të pretendosh që ky kryeministër e ka me të vërtetë integrimin. Një kryeministër që vjedh dhe fondet e IPARD-it, që fondet që vijnë për fermerët shqiptarë, ja jep ministrave të tij, ja jep drejtorëve të tij, ja jep kryetarëve të bashkive, ja jep zyrtarëve të tij, ja jep njerëzve të tij të rrethit të ngushtë.
Pra, një njeri që vjedh edhe paratë e taksapaguesve europianë, sigurisht që nuk e ka me të vërtetë procesin e integrimit dhe e ka vetëm retorikë politike, e ka propagandë për të gënjyer qytetarët. Një kryeministër që ka kthyer Tiranën në hub-in kryesor, në laboratorin kryesor të vjedhjes së qytetarëve europianë, taksapaguesve europianë, me skemat e mashtrimit Forex, me call center-at që vidhen qytetarë gjermanë, austriakë, italianë, spanjollë, edhe britanikë, edhe shtetas britanikë, nuk e ka seriozisht këtë punë.
Mos harroni, në dy muajt e fundit, janë bërë të paktën tre operacione shumë të bujshme për goditjen e këtyre skemave kriminale dhe janë bërë vetëm nga agjencitë e huaja, nuk bëhen nga policia shqiptare, sepse Policia e Shtetit është me pagesë mujore nga të gjithë këta biznesmenë.



