Këtë të enjte në orën 12:00 skadon afati për dorëzimin e kandidaturave që duan të bëhen pjesë e garës në zgjedhjet për kreun e Partisë Demokratike. Por, për Sali Berishën zgjedhjet e 23 majit duket se do të jenë pa asnjë rival.
Selia blu përmes një udhëzimi të mbajtur sekret, ka parashikuar se kandidimi i ndalohet personave të dënuar me vendim të formës së prerë, duke ngritur kështu një pengesë për Ervin Salianjin.
Pavarësisht tentativave të Berishës, ish-deputeti zotohet se do të bëjë çmos që të marrë pjesë në garë, dhe se do të denoncojë çdo shkelje që mund të ndodhë gjatë procesit.
Udhëzimi i lëshuar me 18 mars, por që u bë publik vetëm një ditë para skadimit të afatit për depozitimin e kandidaturave përcakton edhe kriteret për të marrë pjesë në garën e 23 majit.
Mes kritereve bie në sy edhe ai i dekriminalizimit, që mesa duket prek Ervin Salianjin, i vetmi emër që ka shpallur publikisht ambicien për të sfiduar Sali Berishën në garën për kryetar.
Kriteret për kandidatët për Kryetar të PDSH-së janë:
Anëtar i Partisë Demokratike, figurë me profil shumë të lartë publik dhe politik, me angazhim politik dhe elektoral të paktën 10 vjeçar në Partinë Demokratike;
Të ketë eksperiencë drejtuese në nivel kombëtar/rajonal në betejat politike të Partisë Demokratike, për kauza qytetare dhe politike;
Të plotësojë kriteret e zgjedhshmërisë sipas ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.



