Partia Demokratike do të shkojë në zgjedhjet e brendshme për kryetarin me një kandidat të vetëm, Sali Berishën, pasi Komisioni i Zgjedhjeve në parti ka vendosur të mos marrë në shqyrtim kandidaturat e tjera.
Sipas vendimit të komisionit, kërkesat e tre prej kandidatëve të mundshëm nuk janë marrë fare në konsideratë, ndërsa dy të tjerë janë konsideruar se nuk përmbushin kushtet e nevojshme për të qenë pjesë e garës.
Ky zhvillim praktikisht e shndërron procesin zgjedhor në një referendum formal për Berishën, i cili do të rikonfirmohet në krye të partisë përmes parimit “një anëtar, një votë”, por pa asnjë rival përballë.
I ftuar në nje studio televizive gazetari Genc Çobani, e cilësoi këtë lëvizje si “veprimin më të sinqertë që mund të pritej nga Partia Demokratike”. Duke përdorur një ton ironik, Çobani argumentoi se rezultati i garës ishte i paracaktuar, pavarësisht numrit të kandidatëve.
“Në fund të fundit, kushdo që të ishte kandidat, në atë parti nuk fiton njeri tjetër veç Sali Berishës, edhe sikur të ketë 10 kandidatë të tjerë”, deklaroi ai. Sipas tij, vendimi i komisionit thjesht formalizoi një garë e cila ishte vetëm formale që në fillim, duke pranuar realitetin se asnjë kandidat tjetër nuk do të kishte mundësi reale për të fituar kundër liderit historik të demokratëve.



