Ngjarja e shumëpritur e modës, Met Gala 2026, mblodhi në Muzeun Metropolitan të Artit në Nju Jork shumë emra të njohur nga arti, showbizi dhe teknologjia.
Në këtë edicion, vëmendjen e tërhoqi Mira Murati, e cila ishte e vetmja përfaqësuese shqiptare e pranishme këtë vit.
Ndryshe nga ngjarjet e kaluara, yje si Dua Lipa dhe Rita Ora nuk u panë në tapetin e kuq.
E njohur për ndikimin e saj në botën e teknologjisë, Murati u shfaq me një fustan të zi elegant.
Veshja e saj, e zbukuruar me gurë, detaje të arta dhe një dekolte në formë V, solli një estetikë moderne dhe të sofistikuar.
Prania e saj në këtë event tregoi se ndikimi i saj po shtrihet përtej sferës së shkencës, duke prekur edhe kulturën popullore.
Përtej tapetit të kuq, jeta profesionale e Muratit vazhdon të jetë mjaft aktive.
Pas largimit nga OpenAI, ku ishte një nga emrat kryesorë pas ChatGPT dhe DALL-E, ajo themeloi kompaninë e saj, Thinking Machines.
Startup-i ka arritur të mbledhë rreth 2 miliardë dollarë në raundin e parë të investimeve, duke e çuar vlerësimin në mbi 10 miliardë dollarë.
Gjithashtu, kompania ka mbyllur një marrëveshje strategjike me vlerë dhjetëra miliardë dollarë me gjigantin Nvidia, për përdorimin e çipave të gjeneratës së ardhshme Vera Rubin.
Me platformën Tinker, Murati synon krijimin e modeleve të personalizuara të inteligjencës artificiale, duke synuar një teknologji më të qasshme për njerëzit.
Në daljet e saj publike, ajo ruan qëndrimin se përparimi teknologjik duhet të ecë paralelisht me sigurinë.
Përfaqësimi i saj në evente si Met Gala thekson profilin e saj të ri, duke bashkuar shkencën me kulturën.
Fokusi te “Thinking Machines” dhe bashkëpunimet e mëdha tregojnë se ajo mbetet një figurë e rëndësishme e dekadës, duke u dëshmuar si një inovatore në teknologji dhe një emër me stil në skenën globale. /Prive By Liberta Spahiu




