BallinaPolitikeJa plani djallëzor për të asgjësuar dëshmitarin kyç të drejtësisë për aferën...

Ja plani djallëzor për të asgjësuar dëshmitarin kyç të drejtësisë për aferën “CEZ-DIA”, si tentoi Ilir Meta të… – Sot News


Çështja “CEZ-DIA” mbetet një nga dosjet më përvëluese në duart e drejtësisë shqiptare, por ditët e fundit beteja është zhvendosur nga zyrat e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) në deklarata të forta publike. Pas akuzave të lëshuara nga deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i cili publikoi dokumente që synonin të godisnin integritetin moral të kallëzuesit, juristi i njohur, Romeo Kara ka vendosur të thyejë heshtjen.

Në këtë intervistë për gazetën “SOT”, juristi Kara nuk kursen askënd. Ai u përgjigjet pikë për pikë pretendimeve për dënimin e tij, duke i cilësuar ato si një “skenar të trashë” të sajuar në oborrin e Partisë së Lirisë për të diskredituar dëshminë e tij kyçe. Për herë të parë, ai sqaron të vërtetën e mbrojtjes së tij si dëshmitar, kërcënimet që i kanë rrezikuar jetën dhe lidhjet e dyshimta të emrave të njohur me personazhe burgjesh. I drejtpërdrejtë dhe i palëkundur, z. Romeo Kara paralajmëron padi të reja dhe një ballafaqim që, sipas tij, do të nxjerrë zbuluar “llumin” e atyre që sot përpiqen të bëjnë moral.

Zoti Kara, deputeti Tedi Blushi ka publikuar dokumente ku pretendohet se ju jeni dënuar për dhunë në familje dhe ka vënë në dyshim integritetin tuaj si kallëzues në çështjen “CEZ-DIA”. Si i përgjigjeni këtyre akuzave dhe a mendoni se kemi të bëjmë me një përpjekje për të diskredituar dëshminë tuaj?

Padyshim që kemi të bëjmë me një sulm të mirë-menduar nga e gjithë ajo çka mbetur nga Partia e Lirisë, e cila ekziston tashmë vetëm për t’u mbledhur grusht bashkuar rreth kryetarit Like dhe hallit të tij me drejtësinë. Flet Likja dhe ia pason Blushi. Nëse e vini re, akuza ka tre pjesë, ku Likja në dakordësi të plotë me Monikën, i ka deleguar asaj akuzat për lobimin dhe shpenzimet me kartat, ndërsa i ka ngecur sharra në gozhdë për çështjen ‘CEZ-DIA’, ku pengesën më të madhe ka kallëzimi im, deklarimet e mia dhe përballjen me mua në një të ardhme të afërt në sallën e gjyqit. Në dijeninë time ai ka arritur të manipulojë disa aktorë në proces, por tek unë ka hasur në pamundësi të plotë. Me një skenar të hartuar sa trashë aq edhe djallëzisht, ai dhe oborri i tij janë hedhur në ofensivën e përbaltjes sime, pikërisht për të goditur në opinion personalitetin tim si kallëzues dhe si dëshmitarin me potencial. Ai e ka tmerr përballjen me mua dhe ju siguroj se personalitetin dhe vërtetësinë time ai do ta shohë kur të jemi përballë dhe mundësisht publikisht.

Ai e ka të pamundur të diskreditojë dëshminë time, pasi ajo është vlerësuar nga organi i akuzës dhe nga gjykimi paraprak, të cilat e kanë gjetur atë të qenësishme dhe të provuar. Deri më tani ai dhe idiotët këshilltarë të tij kanë servirur në publik dy variante: atë të kallëzuesit të rremë si dhe atë të një njeriu me probleme lidhur me shëndetin mendor. Këto të dyja nuk shkojnë bashkë, pasi o jam shumë i zgjuar sa të manipuloj të gjithë drejtësinë, o jam me probleme mendore dhe i paaftë për asgjë. “Doktor” Adhamudh Blushi ka gabuar rëndë, sa logjikisht aq edhe ligjërisht, gjë që do të vërtetohet gjyqësisht në të ardhmen, ku ai do të jetë përballë meje në më shumë se një proces gjyqësor. Ju siguroj ju dhe gjithë opinionin shqiptar se unë nuk jam dënuar për dhunë në familje dhe asnjëherë nuk kam figuruar ligjërisht i dënuar, kurrë nuk kam pasur asnjë shkelje të komunikimit të etikës e jo më probleme të tjera me prindërit siç pretendon Adhamudh Blushi dhe kurrë nuk kam rënë në nivelin e gjobaxhiut në asnjë rrethanë, cilado qoftë ajo. Karagjozët Meta-Blushi në fillim e lidhën kallëzimin tim me çështjen McGonigal, me vitin 2019 dhe me çështjen e inceneratorëve, çështje e cila u hap me kallëzimin dhe hapjen e saj në publik nga Kryemadhi dhe LSI. Tani e pranojnë se kallëzimi im është bërë më 18 tetor 2017, gjë që rrëzon çdo pretendim sa më sipër. Më pas po të njëjtët karagjozë e lidhin kallëzimin tim me procese gjyqësore në vitin 2019, nga ku unë kam pafajësi të plotë, dhe që nuk mund të kenë ndikime prapavepruese dhe s’ka se si të kenë, pasi nuk ka logjikë që e pranon dhe e fakton një idiotësi të tillë. Çfarë duhet të thonë ata që u dënuan për inceneratorët nga kallëzimi i çiftit Meta-Kryemadhi?

Që kallëzimi i tyre nuk qëndron, pasi këta kallëzues tashmë janë nën akuzë dhe në paraburgim? A ka kallëzues më të diskredituar se këta të dy që japin leksione morali ndërkohë që janë zhytur në llumin më të ndyrë moral të shoqërisë njerëzore? Ja kam publikuar kallëzimin që ditën që e kam bërë dhe Meta nuk pati kurrë guximin të përballej në asnjë lloj mënyre. Mendoi se i mjaftonte prapaskena dhe intrigat në të. I bëri shumë keq hesapet dhe prapë vazhdon t’i bëjë shumë keq. Unë nuk tërhiqem. Gjallë apo vdekur do jem përballë tij në sallën e gjyqit. Pazaret që ka bërë me Ismailajn së fundi nuk do ta ndihmojnë të fshijë realitetin. Memorien e kam të fortë, vendosmërinë akoma më të fortë. Ju si media mos më pyesni mua nëse jam apo jo i dënuar, por referojuni informacioneve zyrtare dhe zbardheni të vërtetën. Ju e dini mirë se çfarë do të thotë të konsiderohesh i dënuar sipas ligjit shqiptar. Nëse ligj janë pordhët e Ilir Metës, atëherë e pranoj që po, unë jam i dënuar. Tashmë padia për shpifje ka marrë rrugën e saj dhe përgjigjen do ta merrni edhe nga gjykata në një të ardhme të afërt.

-Ju keni deklaruar se kërkesa për t’u marrë në mbrojtje si dëshmitar lidhej me kërcënime serioze ndaj jetës suaj. Çfarë informacionesh konkrete kishit marrë në atë kohë dhe pse besonit se rreziku ndaj jush ishte real?

Së pari unë kam qenë nën mbrojtje që në vitin 2016, pra shumë muaj përpara se unë të vihesha në dijeni të një fakti tjetër shtesë, gjë për të cilën kam komunikuar me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së kohës për të bërë verifikimet e duhura. Jemi përpara faktit që një deputet, Blushi, ka publikuar dokumente nga një dosje me të cilën unë vetë nuk jam njohur ende zyrtarisht, gjë që tregon se situata është serioze si juridikisht ashtu edhe për sigurinë time personale, sidomos tani që janë publikuar elementë që mund të nxisin përplasje apo ekspozim ndaj personave me precedent kriminal.

Nga ajo që kam parë në media, të thotë goja e tij dhe t’i tundë si fakte të shkruara, konstatoj: nxjerrje e sekretit hetimor ose dokumenteve jo publike, cenim i privatësisë dhe i të dhënave personale, pengim ose intimidim i dëshmitarit/kallëzuesit, shpërdorim i informacionit për presion publik dhe potencialisht rrezikim real të jetës dhe sigurisë sime. Kush ka qoftë edhe komshi jurist e kupton mjaft mirë se cili ka qenë qëllimi/poshtëria, por edhe pasoja ligjore e një veprimi të tillë. Nëse dokumenti ka qenë pjesë e praktikës së prokurorisë dhe jo dokument publik, pyetja kryesore është: si ka dalë ai dokument dhe kush ia ka vënë në dispozicion deputetit? Veçanërisht problematik është publikimi i emrit të një personi të rrezikshëm në një kontekst që mund të interpretohet si nxitje konflikti ndaj meje. Në aspektin publik dhe moral, është shumë e rëndë kur pushteti politik përdor materiale sensitive për të ekspozuar ose delegjitimuar një qytetar që ka bërë kallëzime ndaj zyrtarëve të lartë.

Kjo krijon efekt frikësues jo vetëm për mua, por për çdo person që mendon të denoncojë korrupsionin apo lidhjet me krimin. Në një shtet ligjor, askush nuk duhet të ndëshkohet publikisht sepse ka kërkuar mbrojtje apo ka bashkëpunuar me drejtësinë. Kam konstatuar gjithashtu një element shumë të rëndësishëm në mesazhin publik të Adhamudh Blushit: nëse dokumenti ka dalë nga prokuroria, organet ligjzbatuese apo administrata shtetërore, përgjegjësia mund të mos kufizohet vetëm te personi që e publikoi, por edhe te zyrtari që e nxori, personi që e transmetoi ose kushdo që ka pasur detyrim ruajtjeje. Në thelb, vepra penale këtu lidhet me përdorimin dhe publikimin e paligjshëm të informacionit procedural ose sensitiv në mënyrë që cenon procesin ligjor, privatësinë dhe sigurinë e një personi të përfshirë në kallëzime penale. Ky kallëzim do t’i shkojë shumë shpejt SPAK-ut si dhe trupit diplomatik.

-Në deklaratat tuaja keni përmendur emrin e Kastriot Ismailajt dhe pretendime për lidhje me elementë kriminalë që survejonin ose synonin eliminimin tuaj. A dispononi prova apo indicie konkrete që mund të ndihmojnë opinionin publik dhe drejtësinë të kuptojnë më qartë këtë skemë?

Në dijeninë time ish-deputetë të LSI dhe ish-këshilltarë të Metës e kanë vizituar Ismailajn në burg. Në dijeninë time e kanë vizituar dhe “respektuar” në burg edhe menaxherë të tjerë, ndërkohë që gruaja e tij jepte intervista akuzuese kundrejt Metës dhe me sa unë di edhe e telefononte atë duke i bërë drejtpërdrejt presion atij. Duhet ta keni të qartë se pa dëshminë time procesi ndaj Ismailajt do të dështonte dhe dëmi do të ishte i pallogaritshëm. Elementet kriminale rreth tij kopsitën pothuaj çdo hallkë, përveç meje. Kaq mjafton.

Sqarim: Secili prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë.

Intervistoi: Rigels Seliman



Burimi sot.com.al

Artikuj te ngjashem
- Advertisment -
Google search engine

Me Te Klikuarat