Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka denoncuar mënyrën se si po menaxhohen prokurimet publike dhe koncesionet në Shqipëri, duke e cilësuar modelin aktual ekonomik si një sistem që shpërndan pasurinë publike në duart e një pakice, pa garë, pa transparencë dhe pa meritokraci.
Në një reagim publik, Tabaku deklaroi se sot në Shqipëri janë tenderuar rreth 2.2 miliardë euro në koncesione, ndërsa rreth 1 miliard euro prej tyre janë nën hetim zyrtar për korrupsion.
Sipas saj, një pjesë e madhe e këtyre projekteve kanë kaluar përmes ligjeve speciale në Parlament, duke shmangur konkurrencën normale dhe standardet që kërkon një ekonomi e lirë.
Deputetja e PD theksoi se situata në prokurimet publike mbetet alarmante, pasi “1 në 2 tendera jepen pa garë”, ndërsa edhe në rastet kur zhvillohet procedurë konkurruese, 60% e fondeve përfundojnë vetëm tek 20 kompani.
Për Tabakun, kjo është prova më e qartë se ekonomia shqiptare nuk funksionon mbi konkurrencën dhe tregun e lirë, por mbi një model të kapjes së shtetit dhe përqendrimit të pasurisë publike në pak duar.
Ajo solli edhe krahasimin me vendet e rajonit, duke nënvizuar se Serbia ka 97% të tenderave me garë, ndërsa Shqipëria vazhdon të mbetet larg edhe këtij standardi minimal.
https://www.panorama.com.al/pa-gare-transparence-dhe-meritokraci-tabaku-denoncon-ndarjen-e-tendereve-klienteliste-1-mld-euro-prokurime-nen-hetim-per-korrupsion-60-e-tyre-shkojne-vetem-te-20-kompani/#:~:text=Sipas%20Tabakut%2C%20ndryshimi,fort%C3%AB%20me%20pushtetin.



