Pas lirimit të pengjeve, presidenti amerikan Donald Trump pritet me duartrokitje në parlamentin izraelit: Fillim i ri!
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump , mbërriti në Knesset rreth orës 11:00, si pjesë e vizitës së tij të shkurtër në Izrael përpara se të niset për në Egjipt për të marrë pjesë në samitin e paqes në Rripin e Gazës.
Pak para fjalimit të tij në seancën plenare, presidenti amerikan u takua me familjet e pengjeve, teksa u dërgoi një mesazh optimizmi për përfundimin e konfliktit.
Menjëherë pas mbërritjes në Parlamentin Izraelit, Trump, i shoqëruar nga Benjamin Netanyahu dhe zyrtarë të tjerë, nënshkroi librin e të ftuarve të Knessetit, duke shkruar frazën e mëposhtme: “Është një nder i madh – një ditë e madhe dhe e bukur. Një fillim i ri.”
Duke folur me gazetarët në ndërtesë, presidenti amerikan u përgjigj “po” kur u pyet nëse lufta në Gaza kishte mbaruar.
“Është një ditë e mrekullueshme”, tha ai ndërsa qëndronte pranë Netanyahut.
“Ky është një fillim krejt i ri dhe nuk mendoj se ka pasur ndonjëherë diçka të tillë më pare. Dashuria në rrugë është thjesht e pabesueshme”, shtoi Trump.
I pyetur se çfarë do t’i ndodhte Hamasit nëse nuk do ta respektonte armëpushimin, ai tha: “Ata do ta respektojnë atë.”
“Jemi shumë të lumtur për ta”, tha ai për pengjet. “Ata do të jenë të lumtur dhe do të kenë një jetë të mrekullueshme.” “Ata ishin shumë të guximshëm”, shtoi ai.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është parë duke shtrënguar duart me presidentin amerikan Donald Trump gjatë vizitës së këtij të fundit në Izrael.

Sipas zyrës së Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog, Trump do të nderohet me Medaljen Presidenciale të Nderit, dekorata më e lartë civile që jepet nga shteti izraelit.
Ky vlerësim i jepet për përpjekjet e Trump në sigurimin e lirimit të 48 pengjeve të mbajtura nga Hamasi, 20 prej të cilëve besohet se janë ende gjallë.
Presidenti Herzog pritet ta informojë zyrtarisht Trump për çmimin gjatë një takimi që do të zhvillohet sot në parlamentin izraelit (Knesset). Ceremonia e dhënies së medaljes pritet të mbahet në muajt në vijim.
Vizita e Trump në Izrael vjen në një kohë kur negociatat për paqe dhe lirimi i pengjeve janë në fokusin e opinionit ndërkombëtar.



