Rrëzoi dekretin e presidentit Bajram Begaj, reagon Presidenca: Respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet e Tiranës
Në një reagim zyrtar, Zyra e Medias e Presidencës bëri me dije se institucioni i Presidentit respekton plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar sot pjesën e dekretit të Presidentit Bajram Begaj që caktonte datën 9 nëntor për zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Tiranës.
Sipas vendimit, kjo pjesë e dekretit është në kundërshtim me Kushtetutën dhe është pezulluar deri në shqyrtimin përfundimtar.
Shqyrtimi i dekretit erdhi pas ankimimit të avokatëve të Kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, që kërkoi shpalljen e pavlefshme të dekretit presidencial për zgjedhje të reja në Tiranë, më 9 nëntor.
Reagimi i Presidencës:
Zyra e Medias dhe Marrëdhënieve me Publikun
Njoftim për Media
Tiranë, më 9 tetor 2025
Në përgjigje të interesit të mediave, ju bëjmë me dije se Institucioni i Presidentit të Republikës respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e pjesës që përcakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë e Tiranës të dekretit me nr.350, datë 01.10.2025.
Vendimi
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese publikohet në Fletoren Zyrtare, ku argumentohet edhe rrëzimi i dekretit të presidentit Bajam Begaj për zgjedhjet e pjesshme të Bashkisë së Tiranës, që u pezulluan pas këtij vendimi, sepse u gjetën në shkelje të Nenit 115 të Kushtetutës.

Trupa gjykuese me 8 anëtarë argumentoi se nëse do të lejohej zhvillimi i zgjedhjeve dhe nëse do ligjërohej dekreti, “kjo do sillte pasoja të pariparueshme në drejtim të të drejtave të të zgjedhurit vendor”, në këtë rast ish-kryebashkiakut Erion Veliaj, që kishte ankimuar shkarkimin e tij nga Këshilli Bashkiak dhe Këshilli i Ministrave.
“Mbledhja e Gjyqtarëve, pasi mori në shqyrtim pretendimet e kërkuesit në mbështetje të kërkesës për pezullim,vlerësoi se në rastin konkret ajo ndodhet në kushtet e parashikuara nga neni 45 i ligjit nr. 8577/2000. Në vlerësimin e Mbledhjes së Gjyqtarëve zbatimi i dekretit të Presidentit për zhvillimin e zgjedhjeve vendore vetëm për Bashkinë e Tiranës, do të sillte pasoja të pariparueshme në drejtim të të drejtave të të zgjedhurit vendor (kërkuesit), për sa kohë çështja gjyqësore për shkarkimin e tij është ende në shqyrtim”, thuhet mes të tjerash në këtë vendim.
Dhe për këto arsye të mësipërme Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të nenit 45,pika 1, të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe nenit 27, të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës, njëzëri, vendosi:
“Pezullimin e dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë nr.350, datë 1.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë”.
Vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese në Fletoren Zyrtare:
“VENDIM PËR KËRKESËN PËR PEZULLIM
Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, e përbërë nga:
Holta Zaçaj
Kryetare
Marsida Xhaferllari
Anëtare
Fiona Papajorgji
Anëtare
Sandër Beci
Anëtar
Ilir Toska
Anëtar
Genti Ibrahimi
Anëtar
Marjana Semini
Anëtare
Sonila Bejtja
Anëtare
Në datën 9.10.2025 mori në shqyrtim paraprak kërkesën e paraqitur nga kërkuesi Erion Veliaj me objekt: “Shfuqizimi i vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 539, datë 25.09.2025 “Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj”, si i papajtueshëm me Kushtetutën. Shfuqizimi i dekretit të
Presidentit të Republikës nr. 350, datë 1.10.2025 “Përcaktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë, si të papajtueshëm me nenin 115, pika 2 dhe 3 të Kushtetutës.
Pezullimi i efekteve juridike të dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë 1.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë në zbatim të efekteve pezulluese që paragrafi 2 dhe 3 i nenit 115 i Kushtetutës parashikon, deri në marrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese.”.
Mbledhja e Gjyqtarëve pasi mori në shqyrtim kërkesën për pezullimin e dekretit të Presidentit të Republikës nr. 350, datë1.10.2025,
VËREN:
1.
Në datën 29.9.2025, kërkuesi i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese (Gjykata) me kërkesë me objekt shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 539, datë 25.9.2025 “Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj” me pretendimin se ai vjen në kundërshtim me nenin 115 të Kushtetutës. Në datën 1.10.2025 Presidenti i Republikës ka nxjerrë dekretin nr. 350, datë 1.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore”, përfshirë edhe Bashkinë Tiranë të përcaktuar në pikën 1 të këtij akti. Kërkuesi në datën 2.10.2025 i është drejtuar Gjykatës me kërkesë për shtim objekti, duke kërkuar edhe shfuqizimin e dekretit të Presidentit të Republikës për pikën 1 të tij si dhe pezullimin e efekteve juridike të këtij akti, bazuar në nenin 45 të ligjit nr. 8577/2000.
- Në mbështetje të kërkesës për pezullim, kërkuesi ka pretenduar se, për sa kohë Kushtetuta i ka dhënë Gjykatës kompetencën dhe përgjegjësinë për të garantuar të drejtën e organit të zgjedhur vendor ajo duhet të ndalojë pasojat e paligjshme që vijnë nga dekreti i Presidentit. Sipas tij, zbatimi i dekretit përpara se të shprehet Gjykata për ligjshmërinë e VKM-së që e ka shkarkuar atë nga detyra, rrezikon të prodhojë pasoja të rënda, të parikthyeshme, që prekin jo vetëm pozitën institucionale të të zgjedhurit vendor, por edhe interesat shtetërore, shoqërore dhe të qytetarëve.
Kërkuesi ka pretenduar se pasojat e mundshme janë organizimi i zgjedhjeve në një bashki ku nuk ekziston vakanca juridike; shpenzimet e burimeve njerëzore e financiare për organizimin e zgjedhjeve; një proces zgjedhor i imponuar politikisht dhe kundër vullnetit të qytetarëve. Po sipas tij, në rast se nuk vendoset pezullimi, vendimi i Gjykatës nuk do të rivendosë situatën e mëparshme dhe pasojat do të ishin të pakthyeshme, duke u krijuar një precedent i rrezikshëm, zëvendësimi i të zgjedhurit vendor përpara se të vendoset vlefshmëria e shkarkimit.
- Sipas nenit 45, pika 1, të ligjit nr. 8577/2000, të ndryshuar, Gjykata, kryesisht ose me kërkesë të palëve, kur vlerëson se zbatimi i ligjit ose aktit mund të sjellë pasoja që prekin interesa shtetërore, shoqërore ose të individëve, sipas rastit, me vendim të Mbledhjes së Gjyqtarëve ose në seancë plenare urdhëron pezullimin e tij. Sipas kësaj dispozite, së pari: subjekti që kërkon pezullimin e një akti duhet të provojë prekjen e interesave shtetërore, shoqërore ose të individëve, si dhe pasojat e pariparueshme që do të sjellë zbatimi i aktit; së dyti: shqyrtimi i kërkesës mund të bëhet nga Gjykata përpara ose në seancë plenare.
- Mbledhja e Gjyqtarëve, pasi mori në shqyrtim pretendimet e kërkuesit në mbështetje të kërkesës për pezullim, vlerësoi se në rastin konkret ajo ndodhet në kushtet e parashikuara nga neni 45 i ligjit nr. 577/2000. Në vlerësimin e Mbledhjes së Gjyqtarëve zbatimi i dekretit të Presidentit për zhvillimin e zgjedhjeve vendore vetëm për Bashkinë e Tiranës, do të sillte pasoja të pariparueshme në drejtim të të drejtave të të zgjedhurit vendor (kërkuesit), për sa kohë çështja gjyqësore për shkarkimin e tij është ende në shqyrtim.
PËR KËTO ARSYE,
Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të nenit 45, pika 1, të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe nenit 27, të Rregullores për Procedurat Gjyqësor e të Gjykatës, njëzëri,
VENDOSI:
- Pezullimin e dekretit të Presidentit të Republik ës së Shqipërisë nr. 350, datë 1.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë.
Tiranë, më 9.10.2025/ Kryetare: Holta Zaçaj”.



