Sektori i bujqësisë vijon të jetë një nga punëdhënësit më të mëdhenj në vend me 36.7% të totalit në vitin 2024, por gjithashtu ai mbetët me nivelin më të lartë të informalitetit.
Sipas të dhënave zyrtare në INSTAT vitin e kaluar ishin të punësuar 432 mijë persona në sektorin bujqësor, por 80% e tyre nuk paguajnë sigurime shoqërore.
Mbi 340 mijë punonjës të bujqësisë që raportohen të punësuar në bujqësi janë të përjashtuar nga çdo mbrojtje ligjore dhe sociale dhe së shpejti do të bëhen barrë për pjesë tjetër të shoqërisë.
Sipas INSTAT një person konsiderohet i punësuar në bujqësi nëse gjatë javës së referencës (zakonisht 7 ditë para anketës së forcës së punës) ka punuar të paktën 1 orë në aktivitete bujqësore me qëllim fitimi, pra për të siguruar të ardhura ose mallra për treg.
Gjithashtu sipas metodologjisë së INSTAT konsiderohet i punësuar edhe personi që punon në fermën familjare, edhe nëse nuk merr pagesë të drejtpërdrejtë.
Pra, edhe nëse një fermer nuk ka kontratë, nuk paguan sigurime ose nuk është i regjistruar në tatime, për qëllime statistikore ai llogaritet “i punësuar”, nëse ushtron aktivitet bujqësor që prodhon vlerë ekonomike, jo monetare.
Vitin e kaluar numri i vet-punësuarve në bujqësi që paguan sigurime arriti në rreth 90 mijë me rritje vjetore 15 për qind, mirëpo ende pjesa ma e madhe e fermerëve rreth 80 për qind e tyre punojnë pa sigurime.
Mos-përfshirja në sigurime e këtij segmenti përbën një risk afatgjatë për qëndrueshmërinë e sistemit të pensioneve.
Nëse gati një e treta e forcës punëtore nuk kontribuon në skemë, kjo krijon presion mbi buxhetin e shtetit dhe rrit pabarazitë në mbrojtjen sociale ka vënë në dukje Organizata Ndërkombëtare e Punës, ILO në raportet e mëparshme për Shqipërinë.
Ndërkohë, të dhënat e INSTAT tregojnë se peshën e bujqësisë në PBB po e zëvendësojnë gradualisht shërbimet dhe ndërtimi, por ajo vijon të jetë sektori që mban të “lidhur” popullsinë në zonat rurale, ku mungojnë alternativat e tjera të punësimit.
Nëse trendi aktual vijon, Shqipëria rrezikon të ketë një brez të tërë punëtorësh në fshat që do të mbeten pa pension dhe mbrojtje sociale, pavarësisht kontributit të tyre në prodhimin ushqimor të vendit./ B.Hoxha
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.




