PD kërkon shkarkimin e Bajram Begajt, Gazment Bardhi: Paradite është President, pasdite punon mjek dhe i jep tenderat kompanisë ku gjoja punon djali i tij 23 vjeç që është me studime jashtë
Partia Demokratike ka bërë sot një denoncim, duke implikuar kështu Presidentin e Republikës, Bajram Begaj. Pasi njoftoi se PD-ja ka nisur procedurat për shkarkimin e Begajt, Bardhi renditi disa nga shkeljet që sipas opozitës ka kryer kreu i shtetit.
Sipas Bardhit, Presidenti Begaj përveç punës paradite si kryetar shteti, pasdite kryente punën e mjekut, ose më saktë të konsulentit në një klinikë mjekësore private. “Paradite punon si President dhe pasdite si mjek”, tha Bardhi.
Sakaq, Bardhi theksoi ndalimin ligjor për Presidentin e Republikës që të ushtrojë detyra të tjera veç asaj të Kreut të Shtetit. duke e cilësuar këtë si një shkelje të paprecedent.
Kreu i Grupit të PD shtoi se kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë me asnjë prej Presidentëve të mëparshëm të Republikës.
“E dini ju që presidenti ndërkohë që është President rezulton i punësuar nga një klinikë private mjekësore. Ditën bën presidentin, pasdite paguhet nga rrjeti i klinikave private Acibadem siç deklaron vetë të ardhurat çdo vit. Ky është niveli i presidentit të Republikës së Shqipërisë”, u shpreh Bardhi.
Në emër të PD-së, Gazment Bardhi ka bërë sot një denoncim të fortë në lidhje me përfshirjen sipas tij të presidentit Bajram Begaj.
Sipas Bardhit, Begaj i ka dhënë të gjitha tenderat një kompanie private, ku rezulton i punësuar djali i tij 23-vjeçar, me rrogën sa të drejtorit të përgjithshëm të këtij biznesi.
“Shkelja e fundit; përfitime personale të tij dhe të të birit. Ai dyshohet se ka kryer dhe një krim të rëndë, për të cilin grupi i PD në ditët në vijim do t’i drejtohet SPAK-ut. Ai krijoi një gjendje permanente interesi, duke i dhënë përfitimin e prokurimeve publike, kompanisë private, ku i punësuar është djali i tij.
Djali i presidentit, vetëm 23 vjeç, ndërkohë që ndodhet jashtë vendit dhe rezulton me studime jashtë vendit. Përveç studimeve dhe një pune që bën jashtë, rezulton se është i punësuar në një kompani sigurimesh brenda territorit të vendit, me një pagë dyfish mbi rrogën mesatare. I uroj shëndet, por është vetëm 23 vjeç dhe ka pagën e barabartë me drejtorin e përgjithshëm të kompanisë. Është i katërti me renditje me pagën me të lartë në këtë kompani. Kjo kompani aplikon për tendera në institucionin që drejtohet nga babai i personit të punësuar aty. Është 100% përfituese e këtyre tenderave. Jemi para një krimi korrupsioni”- tha Bardhi.
Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, ka reaguar pasi u informua për kërkesën e PD për shkarkimin e Presidentit të Republikës Bajram Begaj.
Balla tha në një deklaratë për gazetarët se Presidenti Begaj nuk ka kryer asnjë shkelje dhe nuk do të shkarkohet.
“Nuk ka kryer asnjë shkelje dhe s’do shkarkohet. Madje Presidenti nuk ka kryer asnjë shkelje. A ka ngelur ndonjë institucion që nuk ka kërkesë për shkarkim? Më thanë që kanë bëtë kërkesë për shkarkimin e Pëllumb Pilinçit. Duan ta shkarkojnë dhe atë”, tha Balla.



