Friday, March 6, 2026
Google search engine
BallinaPolitike"Rama këtë e bën për të justifikuar mea culpa-n"/ Protesta për UÇK-në,...

“Rama këtë e bën për të justifikuar mea culpa-n”/ Protesta për UÇK-në, reagon diplomati: E bën për arsye politike

Diplomati Agim Nesho, i ftuar në një studio televizive, komentoi protestën që pritet të zhvillohet sot në mbështetje të liderëve të UÇK-së, duke e cilësuar si një manifestim të drejtë në përkrahje të heronjve të luftës për liri. “Është tepër e qartë, është një manifestim në përkrahje të katër drejtuesve kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të një epopeje të lavdishme. Mungesa e provave dhe zvarritja e gjyqit kanë bërë që opinioni publik shqiptar kudo të reagojë në mënyrë të drejtë për ta mbrojtur këtë epope të kombit tonë,” deklaroi Nesho.

Sipas tij, protesta e sotme po shfrytëzohet politikisht nga qeveria Rama dhe opozita në Kosovë, por sidomos nga kryeministri Edi Rama, të cilin ai e akuzoi për manipulim politik të situatës. “Asgjë në Shqipëri nuk zhvillohet pa dirigjimin e autokratit shqiptar. Rama e bën këtë për të justifikuar mea culpa-n e tij, pasi në periudhën kur Serbia mblidhte informacione për drejtuesit kryesorë të Kosovës, ai ishte në një dashuri të pajustifikueshme me Vuçiçin,” tha diplomati.

Nesho kujtoi gjithashtu bashkëpunimin e ngushtë të Ramës me presidentin serb në nisma si ndarja e kufijve dhe “Ballkani i Hapur”, të cilat, sipas tij, ishin iniciativa pro-ruse për destabilizimin e rajonit. “Ka pasur një bashkëveprim të madh të Ramës me Vuçiçin, duke anashkaluar qëndrimin që duhej të mbante Shqipëria si një komb i bashkuar ndaj një procesi të padrejtë,” shtoi ai.

Më tej, diplomati theksoi se Rama po përpiqet të përfitojë politikisht nga kjo çështje për të larguar vëmendjen nga skandalet e korrupsionit që e rrethojnë. “Ai është në një situatë të rënduar politike, akuzohet për korrupsion të jashtëzakonshëm dhe për lidhje me krimin e organizuar, të evidentuara nga mediat më të rëndësishme në botë,” përfundoi Nesho.

Agim Nesho:

Është tepër e qartë, është një manifestim në përkrahje të 4 drejtuesve kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të një epopeje të lavdishme dhe këtu duhet ta ndajmë, këtu jemi të gjithë dakord dhe duhet të themi që mungesa e provave dhe zvarritja e gjyqit bën opinionin publik kudo që të jetë i kombit shqiptar të reagojë në një mënyrë të tillë më të drejtë për të mbrojtur atë epope të lavdishme të kombit tonë.”

Tani, a shfrytëzohet kjo politikisht sidomos nga Partia Demokratike dhe opozita në Kosovë? Sigurisht që po, për disa arsye.
Në radhë të parë duhet të kemi parasysh se asgjë në Shqipëri nuk mund të zhvillohet pa dirigjimin e autokratit shqiptar, diktatorit mund ta quaj tani, sepse kapi edhe qelizën e fundit institucionale të shtetit shqiptar, siç ishte Gjykata Kushtetuese. Ranë të gjitha institucionet edhe ku kishte ndonjë zë atje kundër.

Pse e bën Rama këtë gjë? E bën për disa arsye.

Rama këtë e bën për të justifikuar mea culpa-n, sepse në periudhën kur mblidhej informacion nga ana e Serbisë për autoritetet kryesore të shtetit të Kosovës — presidentin, kryetarin e Kuvendit, personalitetet e luftës — Rama ishte në një dashuri të pajustifikueshme me Vuçiçin. Ishte në një kohë kur ne kemi parë veprimtari të ethshme, ndalimin e ish-kryeministrit në Francë, i cili u mbajt në një proces gjyqësor i kërkuar nga Interpoli për arsye të kërkesës nga Serbia. Për Haradinajn e kam fjalën.

Më pas vazhdoi me iniciativat e Vuçiçit që ishin iniciativa pro-ruse për ndarjen e kufijve, më vonë në “Ballkanin e Hapur”.
Pra, ka pasur një bashkëveprim të madh të Ramës me Vuçiçin, duke anashkaluar atë përgjegjësi dhe qëndrimin që duhej të mbante Shqipëria e bashkuar si një komb ndaj një procesi të padrejtë, të iniciuar nga rusët për të destabilizuar dhe për t’i dhënë prioritet nacionalizmit serb që “ne duhet të marrim diçka nga Kosova”.

Së dyti, Rama e bën për arsye politike, sepse është në një situatë tepër të keqe politike brenda vendit, akuzohet jo vetëm për një korrupsion të jashtëzakonshëm, por edhe lidhjen e tij të evidentuar nga shtypi, nga mediat më të rëndësishme në botë, me krimin e organizuar.

Burimi sot.com.al

Artikuj te ngjashem
- Advertisment -
Google search engine

Me Te Klikuarat