Deputeti i PD-së, Enno Bozdo, përmes rrjeteve sociale, ka denoncuar atë që e konsideron si rrjetin nepotik dhe familjar në Bashkinë e Poliçanit të drejtuar nga Adriatik Zotkaj.
Bozdo shprehet se Adriatik Zotkaj e ka kthyer bashkinë në një çerdhe punësimi familjar, ku punësohen me shumicë patronazhistët që as nuk paraqiten në vendin e punës, familjarët dhe krushqit e tij. Këto të dhëna janë mbledhur dhe janë pjesë e dosjes së SPAK!
“Adriatik Zotkaj, është figura tipike përfaqësuese e Rilindjes në pushtetin vendor. Me një bashki super të fryrë nga patronazhistët, me favore që u rezervohen vetëm anëtarëve dhe militantëve të Partisë Socialiste, me megakorrupsion me tenderat e Bashkisë, me masuri familjare jashtë cdo logjike dhe të pajustifikuara, është një person dosja e plotë e të cilit po përgatitet dhe shpejt do t`i dorëzohet SPAK.
Në Bashkinë Polican vetëm 25% e fondeve të bashkisë shkojnë për investime, në një zonë që ka nevojë ulëritëse per rrugë, kanalizime dhe shërbime të cdo lloji.
Adriatik Zotkaj e ka kthyer bashkinë në një çerdhe punësimi familjar, ku punësohen me shumicë patronazhistët që as nuk paraqiten në vendin e punës, familjarët dhe krushqit e tij. Këto të dhëna janë mbledhur dhe janë pjesë e dosjes së SPAK”, shprehet Bozdo.
Sipas tij, 13 familjarë dhe të afërm të drejtpërdrejtë të Zotkajt janë punësuar në struktura kyçe të bashkisë. Disa prej tyre mbajnë poste drejtuesish, ndërsa të tjerët shërbejnë si “ushtri besnike” në çdo zyrë e sektor.
“Në krye të listës që turpëron çdo standard administrativ qëndron:
* Maliq Zotkaj, djali i kryetarit – Shef sektori.
* Benarda Kondi, bashkëjetuese – Përgjegjëse sektori.
* Lindita Kondi, vjehrra – Sekretare e Këshillit Bashkiak.
* Marsilda Kondi, kunata – Ekonomiste.
* Artur Zotkaj, vëllai i kryetarit – i njohur për publikun për arrestimin e tij për trafik droge – sot zjarrfikës në Bashki.
* Eriola Zotkaj, bashkëshortja – Përgjegjëse sektori.
* Algerta Nurellari, motra e bashkëshortes së Arturit – punonjëse.
* Abedin Nurellari, burri i Algertës – punonjës në ujësjellës-kanalizime.
* Antigone Kondi, motra e Adriatikut – Kryeinfermiere.
* Fatos Kondi, bashkëshorti i Antigones – punon si zjarrfikës.
* Sara Satkaj dhe Ajna Satkaj – mbesa dhe kunata e mbesës, punonjëse në bashki.
* Skënder Laze, vëllai i Lindita Kondit krushka e kryebashkiakut – mbyll listën e punësimeve familjare”, shkruan Bozdo.



