Kryetari i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj tha sot se është i gatshëm të mbështesë një kandidat të pavarur për Bashkinë e Tiranës.
Lapaj deklaroi se lëvizja nuk do të bashkohet me ata që kanë marrë peng sistemin.
Lapaj shprehu vlerësime për kandidatin e mbështetur nga opozita, Florjan Binaj.
“Florjan Binaj është një qytetar i angazhuar, që ka luftuar në kauza të ndryshme, është një njeri me të cilin kemi bashkëthemeluar lëvizjen tonë dhe është qytetar që ka luftuar për kauza publike. Zoti Binaj ka qenë krah për krah me ne për çështjen e importit të plehrave; ka qenë në shesh kundër rritjes së çmimeve, ka qenë për mungesën e ilaçeve. Gjërat nuk i mohoj dot. Duam apo nuk duam ne, Partia Demokratike është sot partia e dytë në vend dhe përfaqëson një numër të konsiderueshëm qytetarësh. Ne kemi shpallur luftë me ata që e kanë marrë peng sistemin. Partia Demokratike nuk është pronë e Sali Berishës. Ne nuk mund të bëhemi aq arrogantë sa të themi se nuk ka rëndësi që shqiptarët po ikin, që Edi Rama i ka kapur të gjitha pushtetet. Ne nuk bëhemi palë me ata që e kanë marrë peng vendin, por nëse del një kandidat i pavarur, me të cilin mund ta gjejnë veten edhe socialistë të zhgënjyer, ne si lëvizje do ta mbështesim për aq sa do të kërkojë dhe si do ta kërkojë”,-tha Lapaj.



