Në konferencën e mbajtur dje me rastin e 30-vjetorit të marrëdhënieve mes Shqipërisë, Këshillit të Evropës dhe Komisionit të Venecias, është regjistruar një përplasje e fortë simbolike mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetares në detyrë të Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj. Gjatë fjalës së saj, Zaçaj theksoi se mazhoranca nuk mund të përdorë Komisionin e Venecias si justifikim për të shmangur zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, duke iu referuar qartazi, edhe pse pa e përmendur me emër, çështjes së Olta Xhaçkës. “Procesi konsultativ me Komisionin e Venecias nuk mund të përdoret për të shmangur vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të cilat janë përfundimtare dhe nuk mund të vihen në diskutim nga asnjë organ i shtetit. Kërkimi i një opinioni këshillimor duhet të ndodhë paraprakisht dhe jo pas vendimit. Gjykata Kushtetuese nuk është dekorative, ajo është arbitër i lojës demokratike. Kushtetuta nuk është pronë e politikës, por kontratë me qytetarin”, deklaroi Zaçaj.
Prapaskenat
Por fjalët e saj duket se nuk u pritën mirë nga kryeministri Rama, i cili, sipas të pranishmëve, është ngritur dhe është larguar nga salla në mes të konferencës, në shenjë revolte. Ky moment, megjithëse nuk u pasqyrua nga kamerat zyrtare, u vu re qartë nga pjesëmarrësit dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë të pranishëm në sallë. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, largimi i papritur i Ramës lidhej drejtpërdrejt me referimin e Zaçajt për rastin e ish-ministres së Jashtme Olta Xhaçka, për të cilën Gjykata Kushtetuese vendosi se mandati i saj duhej shqyrtuar nga Kuvendi, vendim që mazhoranca e ka refuzuar të zbatojë duke kërkuar opinion nga Komisioni i Venecias.
Në fjalën e saj, Zaçaj nënvizoi rëndësinë e ndarjes së pushteteve dhe respektimit të institucioneve kushtetuese: “Të drejtat dhe liritë themelore nuk mbrohen sepse njihen nga shteti; ato janë universale dhe duhet të respektohen nga të gjithë, pa përjashtim.” Ndërkohë, për pjesën tjetër të kabinetit dhe deputetëve socialistë të pranishëm, incidenti nuk u shoqërua me ndonjë reagim. Për ta, largimi i Ramës u pa si një gjest i zakonshëm i një drejtuesi që nuk pranon kritika publike. Ngjarja ka ngjallur debat në qarqet politike dhe juridike, duke rikthyer në vëmendje tensionet e vazhdueshme mes mazhorancës dhe Gjykatës Kushtetuese lidhur me zbatimin e vendimeve të saj dhe respektimin e parimit të ndarjes së pushteteve në vend.



