Berisha fshin postimin për arratisjen e Tomës dhe akuzon SPAK-un. Doshi përgjigjet nga kafja në Tiranë: O Sali mashtruesi! Për 20 vjet ke shpif kundër meje
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha postoi sot një denoncim duke shkruar se kreu i PSD, Tom Doshi është arratisur, ndërsa ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arresti. Por këtë postim më pas ai e fshiu.
Berisha shkruan se Tom Doshi është aleati i kryeministrit Rama dhe disa ditë më parë u thirr në SPAK.
Nga ana tjetër ngre dyshime se u urdhërua dhe se ky i fundit ia ka mbathur.
“Toma ia mbathi! Miq, gosipi i qytetit gumëzhiti mbrëmë anë e kënd e qoshe-qoshe të Tiranës se Tom Doshi u arrestua, se Tom Doshit i kanë prerë urdhër-arrestin skapistët e partisë dhe se Tom Doshi ishte diku larg apo te Rrapi e Treshit dhe sot në mëngjes do paraqitej burrërisht në SKAP për tu burgosur.
Sot në mëngjes gosipin e mori era dhe bashkë me të edhe urdhër-arrestin për Doshin, aleatin besnik të Ramaduros. Toma, që pardje ishte në Skap dhe dje u largua në drejtim të paditur, mbasi u urdhërua që t’ia mbathi. Rroftë drejtësia e Partisë së Krimit”, shkroi Berisha.

Në nisje të mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së, Berisha tha se informacioni që doli për Tom Doshin ishte nga SPAK, për të cilin tha se nga sot do të quhet “qendra kombëtare e shpifjes”.
Komenti i Berishës erdhi pas reagimit të Tom Doshit, i cili postoi një foto duke thënë “se ndodhet në mes të Tiranës, duke pirë kafe”.
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Tom Doshi ka reaguar menjëherë pas deklaratës së Sali Berishës, i cili hodhi dyshime se është arratisur.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Tom Doshi publikon edhe një foto, ndërsa i drejtohet liderit të PD, duke e quajtur atë “mashtrues”.
Kreu i PSD, thekson se “ndodhet në mes të Tiranës, duke pirë kafe mes miqsh e jo mes paranojash”.
“O Sali mashtruesi! Për 20 vjet ke shpif kundër meje. Nuk jam largu, jam këtu, në mes te Tiranës duke e pi kafen mes miqsh e jo mes paranojash. Nuk frikësohem se nuk e kam vjedhur popullin si ti”, shkruan Tom Doshi në Facebook.

Berisha: Më duhet ta filloj këtë fjalë për të informuar shqiptarët se nga ky moment e tutje ajo që deri dje është njohur si skapi i partisë do të quhet qendra kombëtare e shpifjes.
Ky institucion lëshoi dje pasdite dhe gjithë natën se ka prere mandatin e arrestit të Tom Doshit dhe se në mëngjes lajmit vinin se Toma është arratisur. Imagjinoni si i bëjnë hetimet këta, imagjino ju teknikat e hetimit. Prandaj i ftoj shqiptarët që sa herë të dëgjojnë fjalën SPAK, kujtoni qendrën kombëtare të shpifjes. Toma nuk është arratisur, as ka apo nuk ka mandat arresti, por kjo është një gënjeshtër që është hapur nga qendra kombëtare e shpifjeve.



