Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka regjistruar emrin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku si person nën hetim për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera. Burime konfirmojnë se numri dy i qeverisë “Rama 4” është thirrur të paraqitet në SPAK, në bazë të një shkrese që mban firmën e prokurorit të posaçëm Dritan Prençi. Fletë-thirrja për Ballukun përcakton se zv/kryeministrja duhet të paraqitet ditën e hënë për t’u marrë në pyetje në lidhje me një çështje ku dyshohet se është drejtpërdrejt e përfshirë.
Thirrja e prokurorisë speciale është dërguar me postë në zyrat e Ministrisë së Infrastrukturës dhe në përmbajtjen e saj, të firmosur nga prokurori Dritan Prençi, theksohet se numri dy i qeverisë duhet të jetë e shoqëruar me një avokat mbrojtës. Kjo nuk është hera e parë që Belinda Balluku paraqitet në SPAK. Ajo është thirrur më parë edhe për çështjen e inceneratorit të Tiranës, por në atë rast vetëm si person në dijeni të ngjarjes, në rolin e dëshmitares që sqaroi disa elementë të dosjes.
Këtë herë, motivi i thirrjes është krejt tjetër. Dërgimi i fletë-thirrjes në ministri, kërkesa që ajo të paraqitet me avokat, si dhe natyra e çështjes për të cilën kërkohet të merret në pyetje, tregojnë se statusi i saj lidhet me një akuzë të drejtpërdrejtë. Kujtojmë se gazeta “Sot” raportoi disa javë më parë se Balluku ka zgjedhur për tu mbrojtur ndaj SPAK me një nga studiot ligjore më të njohura dhe më të lidhura me strukturat politike në vend: “Rakipi & Partners”.
Kjo studio, e administruar nga avokati Ermir Beta dhe themeluar nga Arben Rakipi, është e njëjta që përfaqëson edhe kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, në përballjet e tij me drejtësinë. Zyra ndodhet në zonën e “Bllokut”, ku janë parë kohët e fundit vizita të shpeshta nga vetë Belinda Balluku. Sipas burimeve të mirëinformuara, ajo është takuar disa herë kokë më kokë me Arben Rakipin dhe më pas ka përzgjedhur studion si përfaqësim ligjor në përballjen e saj me SPAK.
Ministrja “ia mbath” për në Zvicër
Nuk dihet ende nëse zonja Balluku do t’i përgjigjet thirrjes së SPAK dhe si do të reagojë politikisht përballë kësaj situate, pasi ndwrkohw qw e gjithw Tirana ziente dje për fletë-thirrjen që i erdhi në zyrë për ta marrë në pyetje, Balluku publikoi një video nga një tren në Zvicër, ku po udhëtonte nga Zyrihu në Bernë. Qëllimi ishte një takim me ministrin për transportin dhe energjinë në Zvicër. Bashkë me të ishte edhe një delegacion nga ministria e infrastrukturës. Mbetet për t’u parë nëse Balluku do të kthehet deri të hënën në Tiranë apo do ta shmangë marrjen në pyetje në SPAK. Zvicra është vendi që zgjodhi për të jetuar edhe ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj pasi SPAK kërkoi arrestimin e tij.
Çfarë thotë PD
Nga ana tjetër kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha dje Belinda Balluku ka sajuar një aktivitet ndërkombëtar në të njëjtën ditë dhe orë që duhet të paraqitej në SPAK, me qëllim që të justifikojë refuzimin dhe për të fituar kohë për të shtuar presionin ndaj prokurorit. Bardhi thotë se sipas burimeve të tij, prokurori i posaçëm Dritan Premçi është nën presion nga brenda SPAK, nga nivelet më të larta të pushtetit, nga segmente të caktuara mediatike apo nga eksponentë të krimit të organizuar. “Belinda Balluku është zyrtarja më e korruptuar e shtetit shqiptar në këto 35 vite.
Në çdo aferë, në çdo sektor, janë gjurmët e saj të korrupsionit, nga energjia tek infrastruktura; nga Tuneli i Llogarasë tek Aeroporti i Vlorës. Dosjet e saj në SPAK janë me dhjetëra dhe duket se njëra prej tyre ka marrë rrugë tashmë. Kjo është arsyeja pse prej kohësh tashmë, burime të mirëinformuara, bëjnë me dije se prokurori i posaçëm z. Dritan Premçi është nën presion nga brenda SPAK, nga nivelet më të larta të pushtetit, nga segmete të caktuara mediatike apo nga eksponentë të krimit të organizuar. Duke ndjekur nga afër këto zhvillime, me shumë shqetësim, nisur edhe nga fakti që nuk do jem prezent në seancën e të hënës në Kuvend, sot kam disa pyetje drejtuar SPAK:
1- A është e vërtetë që prokurori i posaçëm z. Dritan Prençi ka thirrur për javën që vjen, me synim komunikimin e statusit “e pandehur” Zëvendëskryeministren Belinda Balluku?
2- A është e vërtetë se për këtë shkak prokurori i posaçëm z. Dritan Premçi ka patur ndërhyrje të drejtpërdrejta nga Kryeministri Edi Rama për të anulluar thirrjen e Belinda Ballukut, duke e informuar prokurorin se ajo nuk do të paraqitet në SPAK javën e ardhshme?
3- A ka sajuar Belinda Balluku një aktivitet ndërkombëtar në të njëjtën ditë dhe orë që duhet të paraqitej në SPAK, me qëllim që të justifikojë refuzimin dhe për të fituar kohë për të shtuar presionin ndaj prokurorit?
4- Pyetje direkte për Drejtuesin e SPAK z. Altin Dumani: A jeni ju në dijeni të presionit të mundshëm ndaj prokurorit të posaçëm z. Dritan Premçi dhe a jeni ju duke përmbushur rolin tuaj për të mbështetur prokurorin?
5- Cili autoritet brenda SPAK po përpiqet të bëjë kozmetikën mediatike në mbrojtje të Belinda Ballukut dhe për çfarë arsyeje?
Në përfundim duke qenë besimplotë se partnerët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht SHBA dhe BE, kanë interes të shtuar në mbrojtjen e integritetit të SPAK, i ftoj publikisht të monitorojnë nga afër këtë çështje, ndërhyrjet kriminale për t’i lidhur duart prokurorisë dhe të konfirmojnë të gjithë mbështetjen e tyre ndaj prokurorit të posaçëm Dritan Premçi dhe çdo prokurori që nuk i nënshtrohet presionit politik apo kriminal mbi çështjet që kanë nën hetim”, tha Bardhi.
Pse u thirr Balluku në SPAK?
Dosja për të cilën është specifikisht nën hetim Balluku mbetet ende e pakonfirmuar zyrtarisht. Në përpjekjet e gazetarëve për të marrë detaje nga fashikujt “Balluku”, zyra e shtypit e SPAK sqaroi se “nuk ka asgjë për të ndarë me median”. Megjithatë, duke mos përgënjeshtruar asnjë nga të dhënat e publikuara në media, SPAK në mënyrë të tërthortë ka konfirmuar se raportimet për fletë-thirrjen e zv.kryeministres janë të sakta. Si drejtuese e një prej ministrive më të fuqishme të qeverisë, që mbulon sektorët e infrastrukturës dhe energjisë me një buxhet që kalon 70 miliardë lekë në vit, Belinda Balluku mban përgjegjësi për disa nga projektet më të mëdha publike të dekadës së fundit.



