Blendian Dalipi, drejtor i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, është denoncuar në SPAK për abuzime me tendera dhe konflikt interesi. Ai ka përdorur kompaninë “IDK Konstruksion” të babait të tij, Bajram Dalipi, për të përfituar rreth 30 milionë euro fonde publike, kryesisht nga institucionet në varësi të Belinda Ballukut. Afera e parë lidhet me koncesionin për projektim, ndërtim, operim, mirëmbajtje dhe rehabilitim të segmentit rrugor Milot-Thumanë, që u shpall në gusht 2022 dhe u fitua në shkurt 2023 nga bashkimi i kompanive “Gener 2”, “Illyrian Consulting Engineers” dhe “IDK Konstruksion” në pronësi të Barjam Dalipajt, babait të Blendian Dalipit. Dalipi, si administrator i OSHEE-së, nuk mund të përfshinte këtë kontratë sipas ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesave.
Për të shmangur përgjegjësinë, Balluku ia delegoi firmosjen zëvendësministrit Ami Kozeli, por në fund kontrata u miratua nga vetë ajo si zv/kryeministre. E dyta përfshin dhjetëra tendera publikë që kompania familjare “IDK Konstruksion” ka fituar pas vitit 2015, me vlera që arrijnë në dhjetëra miliona euro nga ministria e Ballukut dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar. E treta lidhet me përdorimin politik të OSHEE-së dhe administratës së saj gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit, për të mbështetur interesat e Ballukut dhe Partisë Socialiste. E katërta ka të bëjë me skandalin e lejes për ndërtimin e parkut fotovoltaik, që sipas raportimeve, është përfituar nga familja e Blendian Dalipit me miratimin e vetë Ballukut. Ky projekt energjetik konsiderohet si një tjetër shembull i përfitimeve private nën bekimin e institucioneve shtetërore. Megjithë këto skandale dhe denoncime të përsëritura, SPAK vijon të heshtë, duke mos ndërmarrë asnjë veprim konkret për hetimin e aferave që lidhin Blendian Dalipin dhe Belinda Ballukun.



