Saturday, March 7, 2026
Google search engine
BallinaPolitikeDështon propozimi i deputetëve të PD-së për të shkarkuar kreun e Kuvendit,...

Dështon propozimi i deputetëve të PD-së për të shkarkuar kreun e Kuvendit, Niko Peleshi, 6 deputetë të opozitës dalin kundër vendimit të Berishës për të mos votuar


Dështon propozimi i deputetëve të PD-së për të shkarkuar kreun e Kuvendit, Niko Peleshi, 6 deputetë të opozitës dalin kundër vendimit të Berishës për të mos votuar

Maxhoranca ka rrëzuar sot propozimin e demokratëve për të shkarkuar Niko Peleshin nga posti i kryetarit të Parlamentit.

Me 79 vota kundër, socialistët mbajtën Peleshin në krye të Kuvendit. Ndërkohë që pjesa më e madhe e deputetëve të opozitës nuk morën pjesë në votim.

Votimi u bë në mënyrë të fshehtë ndërsa PD-ja, që vetë e inicioi këtë proces, nuk mori pjesë. Burime bëjnë me dije se nga opozita kanë votuar 8 deputetë pro shkarkimit, ndërsa dy votat e tjera që ishin pro kanë “rrjedhur” nga maxhoranca.

Arsyen e mospjesëmarrjes në votim e sqaroi Sali Berisha jashtë Kuvendit, teksa akuzoi sërish për shkelje të rregullores. Sipas tij, duhet të ishin hedhur të dy raportet për votim, i PD për shkarkimin dhe të PS që e kundërshtonte, dhe më pas të kalohej në votimin për shkarkimin e Peleshit. Sipas Berishës, nënkryetarja Klodiana Spahiu kaloi direkt në votimin për shkarkimin sepse kishte marrë urdhër.

“Aty janë dy raporte, hidhen dy raportet dhe pastaj bëhet votimi. Këta nuk njohin rregullore, këta njohin vetëm urdhra që marrin dhe pastaj bëjnë të paditurin. E dëgjuat Peleshin se si u përpoq të mbrojë kolapsin e plotë parlamentar që ka krijuar. Ka ndodhur ndonjëherë në historinë e ndonjë Kuvendi që për 28 minuta të miratohet program i qeverisë dhe kabineti. Ajo bëri një votim sipas urdhrit dhe e mbyllën”, tha Berisha.

Peleshi, në fjalën që mbajti, para votimit, akuzoi opozitën për përçarje. Peleshi hodhi poshtë akuzat se favorizon mazhorancën, duke thënë se opozita ka pasur 60% të kohës së fjalës në Kuvend.

“Do t’i përgjigjem shkakut të vërtetë të kësaj procedure, shkaku i vërtetë nuk jam unë, nuk është favorizimi i një krahu politik, kundër një krahu tjetër. Mazhoranca ka folur 291 minuta kundrejt 439 minutave të opozitës, pra 60% të kohës e ka patur opozita. Shkaku që na sjell në këtë procedurë është frymë antagoniste dhe përçarëse nga e cila nuk heqim dot dorë”, tha Peleshi.

Deputeti demokrat, Ivi Kaso, teksa renditi shkeljet e pretenduara se janë kryer nga Peleshi, tha se nuk kërkonin ndëshkimin e një personi por rikthimin e Kuvendit në bazat institucionale. Sipas tij, Peleshi në pak javë në këtë post, nuk ka qenë garant i barazisë parlamentare por një zgjatim i kryeministrit.

Rrjedhja e votave

Në total ishin vetëm 10 vota pro shkarkimit të Peleshit, ndërkohë që pjesa më e madhe e demokratëve po protestonte për procedurën dhe mënyrën se si u fut në votim të fshehtë shkarkimi Peleshit.

Por ajo qe bie në sy nga tabela elektronike, 3 vota kanë rrjedhur nga maxhoranca socialiste.

Në tabelën elektronike kanë votuar vetëm 6 deputetë demokratë dhe deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi.

Ndërkohë që 3 vota të tjera me gjasa i janë bashkuar shkarkimit te kryetarit te Parlamentit nga kampi i maxhorancës. Nuk është hera e parë që votat e socialistëve apo të aleatëve kur bëhet votimi i fshehtë firojnë kundër vendimit politik.

Sipas tabelës elektronike, votuan nga opozita, Bujar Leskaj, Tritan Shehu, Luan Baçi, Ina Zhupa, Elda Hoti, Jorida Tabaku. Ndërkohë që vota e shtatë është e Redi Muçit.

Kreu i Grupit të PS-së, Taulant Balla iu përgjigj pretendimeve të Sali Berishës se në fillim duhet që të ishin votuar dy raportet e PD dhe PS dhe më pas të votohej për shkarkimin e Niko Peleshit si kryetar Kuvendit.

Por Balla tha se raportet janë relacione shoqëruese për diskutim dhe nuk kalojnë në votim. Më pas ironizoi se 26 nga deputetët demokratë që firmosën kërkesën për shkarkimin e Peleshit ‘firuan’ dhe vetëm 10 deputetë votuan pro.

“Sa i përket kërkesës së 36 deputetëve për shkarkimit e kryetarit të kuvendit, zoti Këlliçi dhe ju të nderuar anëtarë të PD, neni 114, pika 4 e rregullores e ka sqaruar votohet kërkesa. Raportet janë relacione shoqëruese mbi bazën e arsyetimeve. Bazuar në nenin 60, pika 1, votimi bëhet i fshehtë.

Nuk ka pasur një kërkesë dhe nuk u përmend këtu, të depozituar nga ana juaj për mënyrën e votimit, dhe për pasojë sqaroni edhe kryetarin e partisë tuaj, mos të dalë në tv që t’ja fusë kot, jo votohet raporti…

Ej doktor vetëm kërkesa për shkarkimin votohet. Dezertimin tuaj që u mbush mali plot me rrush dhe na polli vetëm 10 vota në favor të kërkesës për shkarkim shkoni dhe mblidhni grupin, gjejeni ku ju kanë shkuar votat, nuk kanë ardhur nga ne por nuk dihet ku kanë ikur.

Na vjen keq që keni humbur edhe 26 nga firmëtarët. Erdhët me 36 veta dhe sot dolët me 10, po të vinit një herë tjetër s’dihet si dilni.”, tha ai.

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka reaguar pasi Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi nuk u shkarkua nga detyra.

Bardhi tha se Peleshi hyri në historinë e parlamentarizmit si Kryetari i cili sipas tij, u kërkua shkarkimi as një muaj pa bërë detyrën.

“Niko Peleshi mund të vazhdojë të qëndrojë në detyrë me votën e 79 memec-deputetëve, por ai vazhdon në këtë funksion si Kryevartës i Taulant Ballës, jo si Kryetar i Kuvendit të 140 deputetëve.

Ai hyri tashmë në historinë e parlamentarizimit të vendit si Kryetari për të cilin u kërkua shkarkimi nga detyra pa mbushur as një muaj në detyrë. U zgjodh me 85 vota e u mbajtë në detyrë me 79 vota një muaj më vonë.

Këtë arritje historike në vetëm 1 muaj mund ta ketë vetëm një funksionar kushtetues i paaftë dhe i padenjë për një detyrë të lartë shtetërore.”, tha Bardhi.



Burimi Shekulli.com.al

Artikuj te ngjashem
- Advertisment -
Google search engine

Me Te Klikuarat