Saturday, March 7, 2026
Google search engine
BallinaPolitikeHumb betejën me sëmundjen, shuhet në moshën 73-vjeçare ish-kryeministri Fatos Nano

Humb betejën me sëmundjen, shuhet në moshën 73-vjeçare ish-kryeministri Fatos Nano


Humb betejën me sëmundjen, shuhet në moshën 73-vjeçare ish-kryeministri Fatos Nano

Shuhet në moshën 73-vjeçare ish-kryeministri Fatos Nano. Ky i fundit prej kohësh vuante nga probleme me shëndetin, të cilat duket se këtë herë s’i kapërcehu dot.

Fatos Nano, u tërhoq nga politika në vitin 2005, pas një karriere të gjatë dhe të shquar si kryeministër i Shqipërisë. Nano prej një muaj ishte në reanimacionin e një spitali privat.

Kush ishte Fatos Nano
Ai filloi karrierën e tij politike ne vitin 1991 pasi u zgjodh Kryeministër i Qeverisë së Tranzicionit me qëllim që të organizojë zgjedhjet e para demokratike në Shqipëri, në po atë vit dhe të përgatisë vendin për tranzicionin drejt një ekonomie tregu dhe sistemi demokratik. Zgjedhjet në 31 mars 1991 u fituan nga Partia Socialiste e Shqipërisë dhe ai u caktua përsëri Kryeministër. Pas dy muajsh ai u detyrua të jep dorëheqje. Atë vit ai u zgjodh kryetar i Partisë Socialiste e cila ishte pasardhëse e Partisë së Punës së Shqipërisë. Në Mars 1992 Partia Demokratike fitoi zgjedhjet dhe një vit me pas Fatos Nano u burgos pasi u akuzua për korrupsion dhe abuzim detyre nga gjykata.

Burgosja e tij u bë problemi kryesor i Shqipërisë post komuniste, sepse shumë socialistë besonin se kjo burgosje ishte shkase e opozicionit të Nanos ndaj qeverisë së Berishës.
Gjatë vitit 1994 skemat piramidale po bëheshin të njohura në Shqipëri dhe rënia e tyre në vitin 1997 shkaktoi një revoltë të armatosur të nxitur nga opozita kundër qeverisë me kërkesën për kthimin e parave të humbura në firmat piramidale. Kjo revoltë çoi në shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme nga presidenti Berisha. Nano u lirua nga burgu pas një amnistie të dhënë nga presidenti Berisha. Zgjedhjet u fituan nga Partia Socialiste. Presidenti Berisha dha dorëheqjen dhe kuvendi i ri zgjodhi president Rexhep Mejdanin. Presidenti Mejdani emëroi kryeministër Fatos Nanon. Ndërkohë, në shtator të vitit 1998 dha dorëheqje pas trazirave që u shkaktuan pas vrasjes së Azem Hajdarit. Fatos Nano u gjykua i pafajshëm ndaj akuzave për shpërdorim detyre dhe korrupsion në vitin 1999.

Jetëshkrimi
I lindur në 16 shtator 1952 në Tiranë, ai u diplomua për ekonomi politike në vitin 1974 në kryeqytet dhe kulmin e karrierës së tij përpara se të rrëzohej regjimi komunist e pati 10 vjet më vonë kur u emërua si studiues i problemeve socio-ekonomike dhe reformave të ekonomive të tregut të vendeve të Bllokut Lindor në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste në Tiranë, nën varësinë e ish-gruas së diktatorit, Nexhimije Hoxha. Ai ishte pjesë aktive e zhvillimeve të vrullshme politike që ndodhën në Shqipëri si edhe në çdo vend tjetër të bllokut të Lindjes. Ndërkohë, i shpejtë ishte rrugëtimi i tij dhe ngritja në politikë.Kujtojmë se në dhjetor 1990 u emërua sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, e një muaj më vonë zv.kryeministër në qeverinë e Adil Çarçanit. Në fund të shkurtit 1991, Ramiz Alia i besoi Nanos postin e kryeministrit.

Pas zgjedhjeve të 31 marsit 1991, Nano u mandatua kryeministër, detyrë të cilën e mbajti për disa javë, kur dha dorëheqjen për shkak të grevave që kishin nisur në gjithë vendin.
Meritë e padiskutueshme e Nanos në atë periudhë ishte transformimi i PS-së nga një parti e trashëguar nga regjimi komunist në një parti social-demokrate me orientim perëndimor.
Ardhja e demokratëve në pushtet në vitin 1992, solli një periudhë të vështirë për Fatos Nanon. Më 30 korrik 1993, Nano u arrestua në zyrën e Prokurorit, dhe u akuzua për “shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare në lidhje me ndihmën italiane” dhe 9 muaj më vonë u dënua me 12 vite burg. Megjithatë trazirat e vitit 1997 sollën lirimin e tij nga burgu dhe rikthimin aty ku të gjithë socialistët e donin: në krye të PS-së. Tre muaj pasi kishte dalë nga burgu ai udhëhoqi socialistët drejt rikthimit në pushtet, të cilin socialistët e mbajtën për 8 vite, por Fatos Nano pati sërish ulje-ngritjet e tij politike.

Meritë e Nanos, e pranuar edhe nga kritikët, ishte rikthimi i normaltitet në vendin e shkatërruar ekonomikisht si pasojë e firmave piramidale.
E megjithatë postin e kryeministrit e mbajti për një vit, kur vendosi të jepte dorëheqjen në 28 shtator 1998, pak më shumë se dy javë pas vrasjes së Azem Hajdarit.
U largua nga Qeveria, por vijoi të mbante kontrollin e partisë, pavarësisht dallgëve që shoqëruan socialistët në 8 vite.
U rikthye edhe njëherë tjetër kryeministër në 31 korrik 2002 deri në humbjen e zgjedhjeve në qershor 2005, kur u detyrua t’i linte pushtetin kundërshtarit të tij që e kishte burgosur, Sali Berisha.

Prej atij viti ditët i jetonte mes Vjenës ku qëndronte me familjen dhe Tiranës ku vinte sa herë diskutohej se kush do të ishte Presidenti i ri i vendit.
Dëshira e tij për t’u bërë kreu i shtetit nuk iu plotësua as në vitin 2007 kur vendin ia mori Bamir Topi dhe as në vitin 2012 kur Berisha megjithëse e afroi, në fund zgjodhi të ndjerin Bujar Nishani. Jeta e tij familjare ka qenë e trazuar po aq sa ajo politike. Fillimisht konsumoi një martesë 25 vjeçare me Rexhina Nanon, me të cilën ka dy fëmijë, Sokolin dhe Edlirën.

Në vitin 2002, pak muaj pas divorcit ai njoftoi martesën me Xhoanën. I konsideruar si figurë liberale brenda të majtës shqiptare ai e shndërroi PS-në nga një parti bolshevike në një formacion të së majtës progresive. Kujtojmë se Fatos Nano ishte i vetmi nga politikanët e tranzicionit që ka dhënë dorëheqjen nga politika pas humbjes së zgjedhjeve në 2005.



Burimi Shekulli.com.al

Artikuj te ngjashem
- Advertisment -
Google search engine

Me Te Klikuarat