Debatet në Konferencën e Kryetarëve kanë vijuar me dyer të mbyllura, sot pas dëgjimit të projektbuxhetit nga ministri i Financave, Petrit Malaj.
Diskutime të forta, me tone të larta dhe akuza të ndërsjellta mes mazhorancës dhe opozitës, ku qendër debati ishin disa pika të rendit të ditës, si dhe kërkesa për Komision Hetimor për skandalin e fondeve të IPARD.
Pas deputetit demokrat Gazment Bardhi, edhe kreu i grupit të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, këmbënguli që socialistët të lejonin ngritjen e një Komisioni për të hetuar skandalin e vjedhjes së fondeve të IPARD-it.
“Kush i vodhi fondet e IPARD-it fermerëve shqiptarë. Kërkojmë ngritjen urgjente të komisionit hetimor, është emergjencë, fermerët për të dytin vit radhazi po humbasin ndihmat, sepse i vjedhin familjarë të qeveritarëve”, tha ai duke iu drejtuar edhe kreut të grupit të PS, Taulant Balla.
Mazhoranca ka kërkuar përqendrimin e diskutimeve te rendi i ditës për seancën e nesërme. Por Blushi vijoi të akuzonte qeverinë dhe të kërkonte ngritjen e komisionit.
“Janë vjedhur ndihmat e Bashkimit Europian për fermerët shqiptarë. Për të dytin vit radhazi fermerët shqiptarë po humbasin 112 milionë euro ndihma nga BE, vetëm sepse këto fonde kanë përfunduar te inceneratorët dhe familjarët e qeverisë. Ju nuk ngopeni duke shkatërruar bujqësinë dhe duke vjedhur fermerët”, shtoi ligjvënësi opozitar.
Blushi kujtoi se fermerët përbëjnë 40% të fuqisë punëtore në vend dhe po penalizohen rëndë, teksa duhet që bujqësia të jetë prioriteti kryesor i shtetit. Deputeti kritikoi SPAK-un për mungesë vullneti në hetimin e kësaj afere, duke deklaruar se “si çdo aferë tjetër, edhe kjo të çon te Edi Rama”.
“Në kushtet kur edhe SPAK nuk po kryen detyrën, është në interesin e Kuvendit të zbulojë se kush ua vodhi ndihmat fermerëve shqiptarë”, u shpreh deputeti i PL.
Ai akuzoi edhe kreun e Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, për “pengim të hetimit parlamentar dhe përpjekje për të mbuluar një aferë kriminale, ndërsa paralajmëroi se refuzimi për ngritjen e Komisionit Hetimor përbën shkelje të Kushtetutës dhe mohim të një të drejte themelore të opozitës”.



