Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste kërkon përjashtimin e Sali Berishës nga punimet e Kuvendit, deri në 60 ditë.
Kërkesa vjen pas sulmeve që kreu i PD i bëri ambasadorit të BE, Silvio Gonzato.
“Kërkojmë marrjen e masës disiplinore ndaj deputetit Sali Berisha, sipas parashikimeve të nenit 65/1, “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe/ose në seancë plenare deri në 10 ditë, 30 ditë ose 60 ditë. Thirrjen e mbledhjes së Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën për vlerësimin e masës disiplinore.”, thuhet ndër të tjera në shkresën e grupit parlamentar socialist.
Ende pa nisur seanca e djeshme, Sali Berisha i parapriu diskutimeve për projektligjin, teksa për Gonzaton tha se nuk mund t’ia impononte orientimet e veta personale shoqërisë shqiptare.
“Zotëri ne respektojmë orientimin seksual të të gjithëve. Përpjekjet tuaja për t’i imponuar standarde të përkatësisë së shumëfishtë gjinore, përveç asaj binare, edhe në statusin tënd ti je binar”, tha Berisha.
Sulmi nxiti reagime të mëdha, deri edhe në Bruksel. Vetë Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, e quajti deklaratën të papranueshme.
“Barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë integrale e ligjit të BE-së. Përputhja me të është pjesë e procesit të pranimit në BE. Kjo nuk është një kërkesë private e Ambasadorit. Çdo sulm ndaj tij është i papranueshëm”, shkroi Kos.
Në mungesë të një reagimi nga Berisha, kërkesën e faljes e bëri vetë kryeministri Rama, duke shpërndarë edhe deklaratën e komisioneres.
“Kërkojmë ndjesë për mënyrën fyese se si një ligj shumë fisnik, plotësisht në përputhje me parimet e BE-së për barazinë gjinore dhe mosdiskriminimin, është keqpërdorur për të shtrembëruar perceptimin publik, si dhe për mënyrën se si Ambasadori i BE-së është shfrytëzuar për një qëllim kaq të ulët”, shkroi Rama.
Sa për Berishën, kreu i PD nuk u tërhoq, madje deklaratave i qëndroi edhe brenda sallës së Kuvendit.
“Nuk kam bërë asnjë fyerje ndaj asnjë ambasadori, por kam shprehur mendimet e mia këtu, siç do ju shpreh haptas në çdo rast”,- tha Berisha.



