Grupi parlamentar i Partisë së Lirisë dënoi sot miratimin e ligjit të ri për barazinë gjinore si një akt të drejtpërdrejtë kundër themeleve të shoqërisë shqiptare. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, e përshkroi ligjin si një produkt të “George Soros dhe mafias ndërkombëtare”, pjesë e një axhende më të gjerë për shpopullimin dhe shndërrimin e Shqipërisë në një “fermë surrogacie”.
Qëllimi final, thotë Blushi, nuk është barazia, por “shpërbërja e familjes, shkatërrimi i shoqërisë dhe promovimi i degjenerimit, vesit dhe kaosit si vlera morale”.
Reagimi i plotë:
“Ky akt legjislativ, i miratuar nga “77 deputetë surrogato”, konsiderohet si një sulm ndaj identitetit, historisë dhe traditave, duke e cilësuar shpërbërjen e familjes si një “krim të rëndë ndaj brezave të ardhshëm” dhe jo si një shenjë moderniteti.
Miratimi i këtij ligji, i imponuar nga George Soros dhe mafia ndërkombëtare, është në fakt vijim i axhendës antikombëtare për shpopullimin dhe për shndërrimin e Shqipërisë në një fermë të surrogacisë. Qëllimi i vetëm i këtij ligji është shpërbërja e familjes shqiptare, shkatërrimi i shoqërisë dhe kombit shqiptar dhe promovimi i degjenerimit, i vesit dhe i kaosit si vlera morale.
Të sulmosh familjen me ligj, do të thotë të sulmosh kombin, identitetin, historinë, traditat dhe kulturën. Shpërbërja e familjes nuk është moderne, por është thjesht dhe vetëm një shkatërrim. Është padrejtësi dhe krim më i rëndë që ky parlament ka bërë ndaj brezave të ardhshëm.
Ligji i miratuar nga 77 deputetët surrogato të parlamentit, zëvendëson fjalët e shenjta nënë dhe baba me disa terma të ftohtë dhe të pakuptueshëm, si dhe fshin nocionet e burrit dhe gruas për t’i zëvendësuar ato me konstrukte të paqarta, të shpikura sipas interesave të një pakice globaliste që kërkon të transformojë vendin tonë pa pyetur për identitet, histori, kulturë dhe vlera dhe pa pyetur as për ata që besojnë në Zot.
Barazia gjinore apo liria nuk do të thotë të zhdukësh me ligj dinjitetin e nënës dhe të babait dhe të ç’njohësh natyrën e burrit dhe gruas. Sepse ne besojmë se fuqia e vërtetë e një kombi vjen pikërisht nga mbrojtja e vlerave të përjetshme dhe se familja është themeli i parë ku lind dhe ku qëndron forca e një kombi.
y janë gjërat që ky ligj në fakt nuk mund t’i bëjë dot edhe pse i pretendon. Së pari, që një burrë nuk mund të jetë kurrë një grua dhe se një burrë nuk mund të lindë kurrë një fëmijë.
Ndaj, ne e kundërshtojmë me forcë këtë ligj që kërkon të denatyrojë jo vetëm familjen, por edhe shoqërinë dhe kombin shqiptar. Partia e Lirisë nuk është kundër askujt, por ne jemi me vendosmëri pro familjes, pro fëmijëve, pro fjalës nënë, pro fjalës baba, pro një rendi natyror që ka ndërtuar botën. Dhe kjo nuk na bën të prapambetur, por na bën sa të drejtë, aq edhe njerëzor dhe mbi të gjitha na bën të jemi shqiptarë”



