Skandali i njohur si “afera e tunelit të Llogarasë” merr përmasa të reja, teksa detaje të zbuluara së fundmi nga emisioni investigativ, japin prova për një përfshirje të drejtpërdrejtë të kryeministrit Edi Rama. Ndërsa deri më tani në qendër të akuzave ka qenë zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, të dhënat e reja sugjerojnë se fillesa e kësaj afere, mund të gjendet në një takim të nivelit të lartë në Ankara.
Gazetari investigativ Julian Hoxhaj, shprehet se sipas analizës së bërë në emision, afera nuk kufizohet vetëm te tenderi kryesor prej 190 milionë eurosh, por përfshin gjithashtu edhe tenderët e supervizimit dhe projektimit, të cilat konsiderohen si afera më vete. Argumentohet se dëmi nuk është thjesht financiar për buxhetin e shtetit, por përfaqëson një shembull të qartë se si qeveria funksionon me paranë publike dhe pasuritë e qytetarëve shqiptarë, duke i justifikuar veprimet me “interesa gjeopolitike” që në thelb fshehin interesa personale.
Elementi më i rëndësishëm spas Hoxhajt, është implikimi i kryeministrit të vendit. Pretendohet se afera nuk nisi me anulimin e tenderit, por me “pazare” të bëra në Ankara në qershor të vitit 2020. Në këtë takim, një delegacion shqiptar i kryesuar nga vetë kryeministri Edi Rama është takuar me përfaqësues të kompanisë turke, e cila më pas do të shpallej fituese. Prania e Ramës në krye të këtij delegacioni shihet si pikënisja e gjithë procesit të dyshimtë.
Për shkak të këtij takimi, Hoxhaj shprehet se kryeministri duhet të përballej minimalisht me të njëjtën akuzë si zëvendëskryeministrja Balluku, atë të “shkeljes së barazisë në tendera”. Edhe pse ligjërisht ai nuk ishte autoriteti kontraktor, veprimet e tij mund të përbëjnë vepra të tjera penale si “ushtrim i ndikimit të paligjshëm” apo “shpërdorim i detyrës”. Këto të dhëna rrëzojnë narrativën se Balluku ka vepruar e vetme. Për këtë arsye, gazetari shprehet se Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) duhet të hetojë dhe të marrë në pyetje kryeministrin Rama për të zbardhur se çfarë është diskutuar në Ankara dhe si u përzgjodh kompania turke si fituese.
Hoxhaj:
Së pari dua të them që emisioni Plug sigurisht që ka bërë një punë, gazetarët, kolegët dhe gjithë stafi, në një punë në një kohë rekord duke zbërthyer një nga ato afera që mund të cilësohet gjithashtu si një nga aferat e shekullit, për shkak sepse përbën jo vetëm një dëm të madh neto ndaj buxhetit të shtetit, por përbën më tepër sesa kaq. Pra nuk është vetëm dëmi financiar që patjetër që do të duhet të ndëshkohet, por është edhe mënyra se si po funksionon shteti në Shqipëri.
Pra është shembulli ekzakt se si qeveria shqiptare, që nga kryeministri dhe varësit e tij, përfshi zëvëndës kryeministren, funksionojnë sot me paranë publike, me po themi të mirat e qytetarëve shqiptarë, taksat e qytetarëve shqiptarë, që i përdorin ashtu siç po thuhet tashmë nga mbrojtësit e kësaj qeverie, për interesa gjeopolitike që sigurisht janë interesa personale të kryeministrit Rama.
Për të ardhur tek ajo që kemi publikuar në emisionin Plug dhe që në të gjitha dimensionet përbën një skandal sepse zbulohen jo vetëm ato që kemi parë deri më sot në dosje, që në fakt dosja e prokurorisë të paktën, ajo që është bërë publike konfirmonte në një farë mënyre të gjithë investigimin e emisionit Plug, por ne kemi zbuluar edhe më tej.
Pra jo vetëm tenderi kryesor i aferës së 190 milionë euro. Jo vetëm tenderi i supervizimit, por edhe tenderi i projektimit janë gjithashtu një aferë më vete. Tani elementi më i rëndësishëm është implikimi i njeriut sot më të pushtetshëm të vendit, kryeministrit të vendit. Sepse deri më sot ka një një narrativë për ta trajtuar çështjen sikur të gjithën këtë e ka bërë zëvendës kryeministrja Belinda Balluku me kokën e vet po themi.
Dhe me këndvështrimin tim nuk është Belinda Balluku njeriu kryesor që padyshim në këtë aferë sigurisht roli i saj është shumë i rëndësishëm, por nuk është njeriu kryesor. Sepse afera nis pikërisht jo me anulimin e tenderit, që kjo është një histori më vete dhe le ta hetojë SPAK. Por nis me pazaret që janë bërë në Ankara, ku në krye të delegacionit që është takuar me përfaqësuesit e kompanisë turke në qershor të vitit 2020 qëndron kryeministri i vendit, Edi Rama.
Dhe në këtë moment dyshimi kryesor është që së paku kryeministri i vendit ka të njëjtën, duhet të kishte në fakt, supozohet që duhet të kishte të njëjtën akuzë si zëvendës kryeministrja, për shkeljen e barazisë në tendera, sepse nëse ka qenë në atë takim…
Duhet të ishte dhe kryeministri me të njëjtën akuzë, pavarësisht se për shkak të ligjit dhe përcaktimeve ligjore nuk e përfshin kjo akuzë, sepse kryeministri nuk është ai që ka bërë tenderin, po e ka bërë Ministria e Infrastrukturës. Por, në këtë moment kryeministri ka prekur një tjetër po them pikë të ligjit që është ajo e ndoshta e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm.
Por edhe të personit në dijeni. Që në këtë moment ai duhet të ishte personi, një nga personat kryesorë në listën e atyre që duhet të thërrasë SPAK për t’u marrë në pyetje, se çfarë është diskutuar në atë tryezë në Ankara.
Si u përcaktua kompania turke në qershor të vitit 2020 si pjesëmarrëse dhe më pas fituese në garën për tenderin e tunelit të Llogarasë. Pra aty kanë qenë tre personazhe. I pari ka folur, ka qenë Arben Ahmetaj, që praktikisht në atë moment e ka deklaruar dhe vetë, nuk ka pasur asnjë dijeni dhe asnjë lidhje me tenderin.



