Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar përsëri për ligjin e barazisë gjinore që u kalua me shumicën e kartonëve nga mazhoranca në Kuvend të enjten. Ai e cilëson përmbysje të Kushtetutës dhe vendosje të kazmës ndaj familjes shqiptare.
Duke iu referuar edhe fjalimit që mbajti nga foltorja e Kuvendit, lideri i selisë blu nënvizoi se askush nuk i vendos dot atij censurë për të folur dhe denoncuar këtë ligj që cenon vlerat e familjes shqiptare, përveç Zotit.
“Askush tjetër, përveç Atij që sheh gjithësinë, nuk mund të më vendosë censurë, o të mjerë. Aq më pak Partia e Krimit, e cila sot doli kundër familjes shqiptare dhe vlerave të saj. Ligji i vë kazmën familjes shqiptare, si do shkoni ju te familjet tuaja, te fëmijët tuaj? Ju po përmbysni Kushtetutën”, shkruan Berisha në postimin e tij në rrjetin social Facebook, që e shoqëron edhe me një video.
Më herët ai kishte postuar po për të njëjtën temë, ku theksonte se ky ligj “nuk synon barazinë gjinore, por i jep fund asaj”.
“Ligji i propozuar nga narko-qeveria për “barazinë gjinore” në thelb synon përmbysjen e familjes dhe vlerave të saj, përmbysjen e librave të shenjtë dhe moralit që ato përcjellin, si dhe mohon të drejtën prindërore për edukimin e fëmijës dhe vendos censuren. Në të vërtetë, ky ligj nuk forcon barazinë gjinore, ai i jep fund asaj”, shkruante Berisha.



