SPAK i dërgoi fletëthirrje për 21 Janarin, Berisha: Unë kam kërkuar prokuror ndërkombëtar për ngjarjen, hetimin e ka penguar Rama
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pasi SPAK i ka dërguar një fletëthirrje për t’u paraqitur në kuadër të hetimeve mbi ngjarjet e 21 janarit 2011.
Në një deklaratë për mediat, pas mbledhjes së Grupit të PD-së, Berisha tha se nuk e marrë ende fletëthirrjen zyrtare, por theksoi se është i hapur për çdo hetim.
Ish-kryeministri theksoi se ka kërkuar vazhdimisht hetim të plotë për ngjarjet e 21 janarit dhe përfshirjen e prokurorëve ndërkombëtarë në proces.
“Nuk kam marrë asnjë fletëthirrje. Për faktin e thjeshtë se Alfredi, ua jep gazetarëve para se të ma çoj mua. Nuk kam asnjë problem. Unë kam kërkuar hetim, prokuror ndërkombëtar kam kërkuar për ngjarjen. Nga 2013 që prokurorinë e ka në dorë Edi Rama, hetimin e ka penguar ai.
Sali Berisha ka kërkuar prokuror ndërkombëtarë, ka kërkuar hetim, ka deklaratat e SHBA, kur Steinberg erdhi këtu, kërkuan hetimin nga polici te organizatori. Organizatorin e kane me dokumente se kush është. Jam i hapur për hetime, unë shkoj në çdo thirrje”, tha Berisha.
Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka dërguar një fletëthirrje Sali Berishës për t’u paraqitur në lidhje me hetimet për dosjen e 21 janarit. Ish-kryeministri është njoftuar të paraqitet të premten në orën 10.00 si person që ka dijeni për ngjarjen.
Kujtojmë që më 30 tetor edhe ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u paraqit në Prokurorinë e Posaçme për të dhënë deklarime për vrasjen e katër protestuesve më 21 janar 2011, kohë kur ai ishte ministër i Brendshëm.
“Për nevoja të hetimit, me urdhërin e datës 03.11.2025 “Për thirrjen e shtetasit”, është urdhëruar thirrja e shtetasit Sali Berisha, i biri i Ramë dhe Shiqere, i datëlindjes 15.10.1944, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, lindur në Tiranë dhe banues në Rruga “Mustafa Matohiti” Ndërtesa nr. 36, Hyrja nr. 1, Njësia Bashkiake nr. 2 Tiranë, me numër personal E40701031R, për tu paraqitur në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me qëllim pyetjen e tij me cilësinë e personit që tregon rrethana të dobishme për hetimin, në lidhje me procedimin penal nr.138 të vitit 2024, konkretisht për rrethanat e hetimit që kanë të bëjnë me ngjarjen e datës 21 Janar 2011. Urdhër thirrja është dërguar në adresën e banimit të shtetasit Sali Berisha, me shkresën nr.38725.prot, datë 03.11.2025 të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Praktika e thirrjes së shtetasit Sali Berisha, është dërguar nga Posta Shqiptare në adresën e sipër cituar, me zarfin me bar kod “RR79743625AA”, datë 03.11.2025″, thuhet ne fletethirrjen e SPAK.
SPAK regjistroi procedim penal për ngjarjen e 21 janarit të vitit 2011, pasi Gjykata e Lartë vendosi një vit e gjysmë më parë të prishë vendimet e mëparshme të gjykatave dhe urdhëroi fillimin e hetimeve për kallëzimin e familjes Nika ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha.
Të afërmit e Aleks Nikës, njërit prej protestuesve të vrarë para kryeministrisë në protestën e Partisë Socialiste më 21 janar 2011, akuzojnë Berishën, Bashën dhe ish-komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi se urdhëruan të qëllohej me armë ndaj pjesëmarrësve në protestë.
Aleks Nika ishte një nga katër viktimat e protestës së dhunshme të 21 janarit 2011, kur mbështetësit e Partisë Socialiste, në atë kohë në opozitë, u përplasën me Policinë dhe Gardën e Republikës përpara selisë së Kryeministrisë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Si pasojë e të shtënave me armë zjarri nga ana e Gardës së Republikës, më 21 janar 2011 përveç Aleks Nikës, u vranë dhe Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, si dhe u plagosën 10 protestues të tjerë.
Për vrasjen e Dedës, Myrtajt dhe Veizit, Prokuroria procedoi penalisht ish komandantin e Gardës Ndrea Prendi dhe gardistin Agim Llupo, duke kërkuar dënimin e tyre me 23 vjet dhe 25 vjet burgim respektivisht. Me 18 shtator 2013, Gjykata e Apelit në Tiranë e dënoi Prendin me 1 vit heqje lirie dhe Llupon me 3 vjet, duke arsyetuar se vrasjet ishin bërë nga pakujdesia. Vendimi kontrovers solli atëherë reagime të ashpra.
Ndërkohë vrasjet e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës dhe plagosja me armë zjarri e 6 personave të tjerë, gjatë protestës së Partisë Socialiste para kryeministrisë, ka mbetur pa autorë dhe prokuroria e pati pezulluar atë për vite me radhë në kërkim të provave.
Vendimi i Gjykatës së Lartë erdhi pasi në nëntor 2023 Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, GJEDNJ, gjeti se hetimet e mangëta të kësaj ngjarje kishin cënuar të drejtën e jetës së viktimave.
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në vendim e saj në nëntor 2023 i kërkoi Shqipërisë që “të identifikojë dhe ndëshkojë përgjegjësit për vrasjen e të afërmit të kërkueseve gjatë protestës së vitit 2011 përpara Kryeministrisë”. GjEDNj gjeti po ashtu se hetimet ishin penguar nga qeveria e kohës dhe specifikisht ish-kryeministri Sali Berisha dhe kërkoi që hetimet e ngjarjes duhej të përfshinin zinxhirin komandues të Gardës së Republikës dhe jo vetëm oficerët që hapën zjarr.




