Shtatori ka pasur një ecuri të mirë për turizmin në një miks mes turizmit të verës dhe rikthimit të tureve kulturore çka ka bërë që strukturat akomoduese të raportojnë rritje të vizitorëve në raport me një vit më parë.
Instituti i Statistikave publikoi të dhënat për strukturat akomoduese gjatë muajit të nëntë të vitit.
“Në muajin Shtator 2025, strukturat akomoduese shënuan një rritje të ndjeshme të vizitorëve dhe net qëndrimeve, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Vizitorët gjithsej u rritën me 31,7%, ku ata jo-rezidentë shënuan një rritje prej 37,8% dhe rezidentë 15,1%.
Net qëndrimet gjithsej u rritën me 19,6%, ku ato jo-rezidentë u rritën me 25,1%, ndërsa ato nga rezidentët me 4,8%. Rritja më e madhe e vizitorëve jo-rezidentë u shënua në zonat bregdetare (+44,1%) dhe në hotelet dhe akomodimet e ngjashme (+32,1%)” thuhet në publikim.
Sipas INSTAT në Shtator 2025, shumica e vizitorëve jo-rezidentë të cilët u akomoduan në strukturat pritëse në Shqipëri vijnë nga Kosova (13%), Polonia (11%), Italia (10%). Gjermania dhe Franca kontribuuan përkatësisht me 9% dhe 8% të vizitorëve, ndërsa 49% e tyre ishin nga vende të tjera.
“Këto të dhëna reflektojnë prirjen e rritjes së turizmit hyrës nga tregjet kryesore të rajonit dhe Europës. Norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele arriti në 52,7%, krahasuar me 40,4% në Shtator 2024” thuhet në publikim.
Ecuria gjatë tetorit
Ministria e Turizmit Kulturës dhe Sportit njoftoi këtë të hënë se ecuria e muajit tetor sa i takon hyrjes së shtetasve të huaj ka në pozitive. Konkretisht në raport me janar- tetorin e një viti më parë kemi një rritje me 7 për qind në këtë 10 mujor.
“Shqipëria ka mirëpritur 11,137,328 vizitorë të huaj nga Janari deri në Tetor 2025, ose 7% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2024. Vetëm në Tetor 2025 janë regjistruar 908,642 vizitorë, një ritëm që dëshmon transformimin e turizmit gjithëvjetor, duke lënë pas modelin sezonal dhe afirmuar Shqipërinë si një destinacion në zhvillim të qëndrueshëm dhe tërheqës në çdo stinë” do të ndante ministri Bledi Gonxhe në rrjetet sociale.
The post Hotelet, në shtator regjistruan 25.1% më shumë netqëndrime nga të huajt, kryeson Kosova dhe Polonia appeared first on Revista Monitor.



