Aktiviteti i shtuar së fundmi i Ambasadës së SHBA në Tiranë, veçanërisht i të ngarkuarës me punë Nancy VanHorn, përkon me një periudhë hetimesh të profilit të lartë nga SPAK ndaj zyrtarëve të lartë qeveritarë dhe një marrëdhënie gjithnjë e më të tensionuar mes ekzekutivit dhe Prokurorisë së Posaçme.
I ftuar në intervistën e edicionit të mbrëmjes në Syri Tv, këshilltari ligjor i PD, Marash Logu foli mbi motivet dhe mesazhet që fshihen pas lëvizjeve të fundit diplomatike amerikane.
Sipas Logut, ambasada amaerikane është rikthyer në skenë me një fokus të qartë: lufta kundër krimit të organizuar dhe narkotrafikut, që për Këshilltarin Ligjor të PD, Ky riangazhim u theksua nga një sërë takimesh të nivelit të lartë, përfshirë atë me krerët e grupeve parlamentare, duke sinjalizuar një vëmendje të shtuar ndaj zhvillimeve politike dhe të drejtësisë në vend.
Nga këndvështrimi i opozitës, për Logun, ky aktivizim shihet si një mision i përbashkët mes SHBA dhe Partisë Demokratike për të luftuar korrupsionin në nivelet më të larta qeveritare, i cili lidhet drejtpërdrejt me kryeministrin Edi Rama dhe Partinë Socialiste.
Sipas Logut, takimet e fundit janë një vazhdimësi e këtij angazhimi, duke theksuar se opozita ka denoncuar vazhdimisht në SPAK dhe tek partnerët ndërkombëtarë aferat korruptive të qeverisë dhe lidhjet e tyre me krimin e organizuar.
Një element kyç në këtë situatë është ajo që përshkruhet si një “luftë e hapur” e qeverisë ndaj SPAK, veçanërisht pas hetimeve që përfshinë ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Vendimi i qeverisë për të çuar një çështje të lidhur me këtë rast në Gjykatën Kushtetuese interpretohet si një përpjekje për të mbrojtur zyrtarët e saj dhe për të dërguar mesazhin se disa figura janë “të paprekshme”.
Për këshilltarin ligjor të demokratëve, sinjalet e intensifikuara diplomatike nga SHBA, të kombinuara me veprimet e paprecedentë të SPAK dhe qëndrimin mbrojtës të qeverisë, sugjerojnë se Shqipëria ndodhet në një udhëkryq kritik për luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e shtetit ligjor.
Së pari besoj është fakt i njohur edhe për opinionin e gjerë, edhe për publikun që Partia Demokratike dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndajnë disa objektiva të përbashkëta, siç është lufta ndaj korrupsionit të lartë qeveritar, lufta ndaj karteleve të drogës apo krimit të organizuar, të cilët më pas implikohen edhe me politikën dhe me pushtetin, dhe sigurisht të lidhura me korrupsionin e lartë qeveritar dhe kartelet e drogës apo krimin e organizuar dhe pastrimi i parave. Në këtë kuptim, Partia Demokratike ndan të njëjtin angazhim që kanë edhe Shtetet e Bashkuara në Shqipëri, ambasada amerikane në Shqipëri, në mbështetje të kësaj beteje, duke ndërmarrë të gjitha ato hapa apo nisma që ne kemi në dispozicion si opozitë, qoftë për të ekspozuar korrupsionin e lartë qeveritar, qoftë për të ekspozuar kartelet e drogës apo krimin e organizuar, lidhjet e këtyre karteleve me politikën, me pushtetin, me qeverinë, me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste, ashtu si dhe denoncimin e tyre jo vetëm publikisht, por edhe nëpërmjet kallëzimeve penale në SPAK, për të cilat sigurisht që grupi parlamentar i Partisë Demokratike mbante informuar të gjithë partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian, qoftë nëpërmjet përfaqësive të tyre që kanë në Shqipëri, por edhe më tej edhe nëpërmjet kontakteve që janë në Bruksel apo në Ëashington respektivisht. Në këtë kuptim, edhe besoj edhe takimi, takimi i sotëm po themi vjen në vazhdën e këtij angazhimi të përbashkët apo këtyre objektivave të përbashkëta, të cilat qoftë grupi parlamentar i Partisë Demokratike, ashtu dhe ambasada amerikane në Tiranë i kanë bërë tashmë publike edhe në qëndrimet e tyre në rrjetet sociale, në faqet e tyre.
Besoj e kuptoni që ambasadorja amerikane në Shqipëri apo përfaqësuesit e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit nuk takohen me kryetarët e grupeve parlamentare shqiptare për shkak të rolit që kanë këta të fundit në vendosjen e paqes në botë apo në zgjidhjen e ndonjë konflikti ndërkombëtar. I vetmi njeri që në fakt deliron në këtë kuptim, është delirant dhe megaloman, është Edi Rama që mendon që është lider botëror dhe ka ndonjë rol po themi në gjeopolitikë. Po e vërteta është që roli jonë në këtë kuptim është shumë modest. Vëmendja e shtuar e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Departamentit Amerikan të Shtetit, Departamentit Amerikan të Drejtësisë vjen pikërisht për shkak të problemeve të mëdha që ka Shqipëria, qoftë sa i përket korrupsionit të lartë qeveritar, karteleve të drogës, krimit të organizuar, pastrimit të parave, dhe sigurisht siç ju e keni ndjekur, edhe për shkak në fakt se pikërisht problemet e mëdha që kjo qeveri, që qeveria e Edi Ramës ka me korrupsionin, krimin e organizuar, kartelet e drogës e kështu me radhë, janë shndërruar në një pengesë reale qoftë për bizneset amerikane apo edhe investimet që vijnë nga Shtetet e Bashkuara në Shqipëri.
Kanë ndalur me pas takatin, u ka pamundësuar atyre po themi injektimin në ekonominë shqiptare, e cila sigurisht do ishte fitimprurëse për të dyja palët. Ju besoj e keni parë se si nga komunikimet që kanë dalë ndërmjet Belinda Ballukut dhe vartësit së saj Ervis Berberit, kuptohet qartë se si ndahen tenderat, koncensionet, partneritetet publike private në Shqipëri, nëpërmjet mesazheve që shkëmbejnë Belinda Balluku me vartësit e saj, duke paracaktuar kush janë fituesit e këtyre tenderave. Dhe në këto kushte sigurisht që ju nuk keni parë në fakt në asnjë rast që aty të ketë ndonjë fitues nga ndonjë, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndonjë kompani apo biznes serioz nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, apo për shembull nga ndonjë vend i Bashkimit Europian. Dhe sigurisht që këto janë shqetësimet e partnerëve, partnerëve tanë.
Mendoj që ky është një moment i rëndësishëm në fakt, veçanërisht sa i përket sistemit të drejtësisë, për shkak se siç ju e dini, këto ditë pritet që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të zgjedhë drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, drejtuesin e ri të Prokurorisë së Posaçme që pason në detyrë Altin Dumanin, dhe nga ana tjetër dhe drejtorin apo drejtore, drejtoreshën e re të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Dy struktura të cilat janë themelore për hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri. Në këtë kuptim, sigurisht që ka një angazhim të shtuar, sepse ju siç e dini, edhe katër vite më parë, edhe tre vite më përpara ka qenë rasti dhe sigurisht nuk mund të jetë ndryshe edhe kësaj here, që ka një angazhim të shtuar nga eksponentë të lartë të qeverisë, përfshirë Edi Ramën dhe ministra rreth tij, për të ndikuar në fakt në procesin e përzgjedhjes së kreut të ri të strukturës së posaçme antikorrupsion apo në zgjedhjen e drejtuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Dhe në këtë kuptim, ashtu siç ka qenë rasti edhe tre vite më parë, ka një angazhim të shtuar të ambasadës amerikane për të garantuar që procesi të jetë sa më, më me integritet dhe i pavarur. Se sa do ta realizojnë e tjerë e tjerë, edhe kjo pritet të shikohet, por sot besoj që nuk themi një gjë të re, në qoftë se themi që po flitet masivisht për ndërhyrje që deri në fakt ka bërë, po vazhdon të bëjë Edi Rama dhe njerëzit pranë tij, ministra dhe qeveritarë të ndryshëm pranë tij për të ndikuar me aq sa ata kanë mundësi në zgjedhjen e drejtuesve të rinj të strukturës së posaçme antikorrupsion.
Nga ana tjetër, nuk mund të mohohet fakti, Ermela, që të paktën formalisht në tetë vite, nga 2016-ta deri në 2024-ën, pavarësisht se çfarë ka qenë e vërteta, formalisht të paktën Edi Rama dhe njerëzit rreth tij pretendonin që ne kemi bërë reformën në drejtësi, do lëmë, do garantojmë pavarësinë e sistemit të drejtësisë e tjerë e tjerë. Megjithatë, duke filluar nga shkurti i këtij viti, me arrestimin e Erion Veliajt, ne pamë se si Edi Rama së bashku me Partinë Socialiste u angazhuan në një agresion të hapur në fakt, qoftë ndaj prokurorit të çështjes, ashtu edhe ndaj gjyqtarit që vendosen masën e sigurisë të arrest në burg ndaj Erion Veliajt. Pati një tërheqje nga kjo lloj strategjie agresioni, për të ardhur më pas me rastin e Belinda Ballukut, ku qeveria, Këshilli i Ministrave dhe kryeministri tashmë i ka shpallur luftë të hapur në fakt strukturës së posaçme antikorrupsion, nëpërmjet shndërrimit të saj në një zyrë avokatie për Belinda Ballukun, duke e çuar për herë të parë një çështje që lidhet me fatin individual të një personi në gjykatën, në gjykatën kushtetuese, me qëllim që të japë mesazhin që ka njerëz të cilët janë të paprekshëm dhe të pandëshkueshëm dhe mbase ky, Edi Rama dëshiron të japë mesazhin që ky është rasti, rasti i Belinda Ballukut.
Pra besoj unë, edhe këto veprime të fundit që ka ndërmarrë Edi Rama dhe Këshilli i Ministrave, qeveria, Partia Socialiste e kështu me radhë, kanë, kanë një rol të caktuar apo kanë një impakt të caktuar në lëvizjet e fundit që ne kemi parë, apo në angazhimin e fundit që ne kemi parë të ketë ambasada amerikane në Shqipëri, apo të tjerë përfaqësues të Departamentit Amerikan të Shtetit në Shqipëri. Besoj është shumë e qartë. Siç janë, siç jemi po themi tashmë të gjithë në dijeni, dikush më shumë, dikush më pak edhe për shkak të detyrës apo edhe opinioni publik. Është e qartë në fakt që tenderat, koncensionet, partneritetet publike private përdoren si një mjet korrupsioni, qoftë për të shpërblyer klientët pranë qeverisë, të cilët më pas një pjesë të këtyre parave që vjedhin qytetarëve shqiptarë, i vënë në dispozicion edhe të pushtetarëve në fushatë elektorale apo edhe për luksin, luksin e tyre.



