Saturday, March 7, 2026
Google search engine
BallinaPolitikeKemi një parti-shtet, Bylykbashi: PS i ka shkatërruar zgjedhjet njëra pas tjetrës,...

Kemi një parti-shtet, Bylykbashi: PS i ka shkatërruar zgjedhjet njëra pas tjetrës, raporti i OSBE/ODIHR-it është prova – Sot News


Vendimi i opozitës për t’u ulur në tryezën e Komisionit dypalësh për Reformën Zgjedhore me mazhorancën socialiste nuk është një tërheqje politike, por një detyrim i pashmangshëm kombëtar dhe ndërkombëtar për të adresuar problemet “gjigante” të zgjedhjeve. Kjo është thelbi i qasjes së opozitës, e cila argumenton se përballja në këtë komision është e vetmja rrugë për të çmontuar mekanizmat e kapjes së shtetit.

Sipas deputetit të opozitës Oerd Bylykbashi që ishte i ftuar në një emision televiziv gjendja aktuale e zgjedhjeve është “skandaloze” dhe e papranueshme për një vend anëtar të NATO-s që ka hapur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Argumenti kryesor është se Shqipëria nuk mund të integrohet në BE me standardet aktuale zgjedhore, dhe trajtimi i rekomandimeve të raportit të OSBE/ODIHR-it është një detyrim ndërkombëtar për Parlamentin.

“Raporti i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 11 majit konsiderohet si një provë e pakundërshtueshme e shkatërrimit të procesit”, shprehet Bylykbashi. Ai thekson se raporti evidenton një shkrirje të plotë mes partisë në pushtet dhe shtetit, duke e cilësuar si një rikthim tek modeli i “partisë-shtet”.

Përballë këtij realiteti përfaqësuesi i opozitës deklaron se nuk ushqen asnjë iluzion se Partia Socialiste do të ofrojë vullnetarisht koncesione për të përmirësuar situatën. Përkundrazi, qëllimi i uljes në komision është përballja e ashpër për të çmontuar mekanizmat e manipulimit. Ata pyesin retorikisht nëse dikush beson “naivisht apo me keqdashje” se socialistët do të ndiejnë një dëshirë të papritur për të përmirësuar zgjedhjet pa u detyruar. Detyra e opozitës, siç u shprehën edhe në mbledhjen e parë të komisionit, është të luftojë brenda këtij formati për të gjetur zgjidhje për problemet e thella që kanosën demokracinë në zgjedhjet e fundit.

Oerd Bylykbashi: Reformat zgjedhore kanë qenë gjithmonë kështu, asnjëherë ndryshe. Kështu ka qenë në vitin 2002, mbas zgjedhjeve të vitit 2001, kur Partia Socialiste masakroi zgjedhjet në të njëjtin nivel me vitin 2025. Në atë kohë Partia Demokratike e kërkoi dhe u ul në një tryezë reforme konsensuale, që ishte hera e parë dhe që atëherë ka vazhduar të jetë i njëjti format. Unë në atë kohë kam qenë në OSBE, nuk kam qenë në Partinë Demokratike, kam kontribuar në mënyrë aktive për bipartizanizmin konsensual të reformës, mbi bazën e asaj që thoshte OSBE-ODIHR-i, dhe i kam parë këto faza edhe nga jashtë e nga brenda. Apo dhe kur Partia Socialiste, pas ankesave të gjata që kishte të padrejta, për shembull për zgjedhjet e vitit 2009, në fund u ulen në tryezën e reformës konsensuale me ata që akuzonte. Nuk ka, reforma zgjedhore nuk nis kurrë me sigurinë që në fund do të ketë një rezultat konsensual. Është një detyrim që partitë politike ia kanë shqiptarëve.

Është e papranueshme në vitin 2025 që zgjedhjet në Shqipëri të jenë në këtë gjendje skandaloze që janë sot.  Është një vend i cili jo thjesht është anëtar i NATO-s, jo se aspiron për në BE, po hap grup-kapitujt e integrimit. Pra është në fazën e negocimeve dhe nuk mundet kurrsesi që të shkohet në BE. Pra nuk ka për të ndodhur që në BE të hyhet me zgjedhjet që kemi ne.

Kështu që, në këtë aspekt, edhe për shkak se është detyrim ndërkombëtar i Shqipërisë dhe i Parlamentit të Shqipërisë që të trajtojë rekomandimet e ODIHR-it dhe këtë nuk mund ta bëjë ndryshe përveçse në një komision reforme, i cili është i ndryshëm nga të gjithë komisionet e tjera, është bipartizan, me veto e tjerë me radhë, ju e dini.  Kështu që ne duhet të ulemi për të gjetur zgjidhje për problemet gjigante që zgjedhjet e 11 Majit treguan. Nuk kemi as më të voglin ekuivok. Partia Socialiste, nuk i ka ndodhur rastësisht që i prishi zgjedhjet. Është një sekuencë prej më shumë se një dekade që, që nga viti, po them që nga viti 2015 që janë zgjedhjet e para që organizon, që i ka shkatërruar zgjedhjet njëra pas tjetrës dhe gjithmonë e më keq. 2025-a, sipas raportit të ODIHR-it, ka arritur në një nivel krejt tjetër.

Raporti i ODIHR-it është i mbushur me një numër rastesh, pra me detaje të jashtëzakonshme, që tregon se si partia dhe shteti janë një, pra jemi përpara partisë-shtet, jemi 35 vite pas.

Pra nuk janë episode, nuk janë gjëra sporadike, është një mekanizëm i organizuar i tëri. Tani, në qoftë se nuk do të ulemi në një reformë, në diskutim për një reformë zgjedhore, që do të çmontojë gjithë këto mekanizma të kapjes dhe shpartallimit të zgjedhjeve, mendon ndokush, ka ndokush iluzionin naiv apo, apo pas pretendimeve ka ide më pas për të thënë që, ‘Ja pse ju s’u ulët atëherë? Pse nuk e bëtë?’. Pra keqdashjen.

Të dyja opsionet, në naivitet apo në keqdashje, ka ndonjëri ide që kjo mund të bëhet vetvetiu? Partia Socialiste do t’i lindë në zemër dëshira për të përmirësuar zgjedhjet? Nga ana tjetër, duhet të themi këtë, që përsëri nuk ka asnjë lloj iluzioni që Partia Socialiste do të japë koncesione për të përmirësuar situatën.



Burimi sot.com.al

Artikuj te ngjashem
- Advertisment -
Google search engine

Me Te Klikuarat