Gjyqtari i mirënjohur amerikan Frank Caprio, i cili u bë i famshëm për dhembshurinë e treguar në sallën e gjyqit, është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare.
Caprio u bë i njohur në mbarë botën falë qasjes së tij të ngrohtë dhe humane ndaj drejtësisë. Lajmi për ndarjen e tij nga jeta u njoftua nga familja përmes rrjeteve sociale, sipas raportimit të CNN.
Për gati katër dekada, ai shërbeu në Gjykatën e Qarkut në Providence, ku u emërua për herë të parë gjykatës në vitin 1985. Popullariteti i tij erdhi përmes programit televiziv “Caught in Providence”, i cili në vitin 2021 u nominua për çmimin prestigjioz “Daytime Emmy Award”. Pamjet nga sallat e gjyqit, ku Caprio dëgjonte me kujdes e dhembshuri qytetarët, u shpërndanë me miliona herë në rrjetet sociale.
Në janar të vitit 2023, ai bëri të ditur tërheqjen nga detyra, ndërsa në fund të atij viti u diagnostikua me kancer të pankreasit.
Në deklaratën e familjes thuhet: “Gjykatësi Frank Caprio u nda nga jeta i qetë, pas një beteje të gjatë dhe të guximshme me kancerin. Ai do të mbahet mend për dhembshurinë, përulësinë dhe besimin e tij të palëkundur tek mirësia e njerëzve. Me punën e tij, preku miliona jetë dhe la një trashëgimi të pasur në drejtësi e humanizëm. Përveçse një gjykatës i respektuar, ai ishte bashkëshort, baba, gjysh dhe mik i përkushtuar.”
Familja e tij u ka bërë thirrje njerëzve që ta nderojnë kujtimin e tij duke shpërndarë më shumë dhembshuri – ashtu siç ai e praktikoi çdo ditë të jetës së tij.


