Miku i vjetër shfaqet në ditë të vështira. Sali Berisha ka zgjedhur të qëndrojë pranë Ilir Metës edhe pas disfatës elektorale.
Pasi i siguroi katër mandate të garantuara në Kuvend, ish-kryeministri është gati t’i japë tre deputetë “hua” aleatit të tij të hershëm, në mënyrë që Partia e Lirisë të ketë grupin e saj parlamentar.
“Ne kemi rënë dakord që, nëse forca jonë politike nuk do të arrinte numrin minimal prej shtatë deputetësh të nevojshëm për krijimin e grupit parlamentar, atëherë do të merrnim tre deputetë nga Partia Demokratike, në mënyrë që të jemi një zë i fortë në Kuvendin e ri. Ju siguroj që zëri i z. Meta do të dëgjohet fuqishëm, si në seancat plenare ashtu edhe në komisionet parlamentare,” – u shpreh për Top Channel sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi.
Formimi i një grupi parlamentar sjell përfitime të drejtpërdrejta, si më shumë kohë fjale në debatet në Kuvend, por edhe zyra e staf shtesë, çka përbën një bonus politik për aksionin opozitar të Metës, i cili pritet të drejtojë betejën e partisë së tij nga qelia.
Në prag të nisjes së legjislaturës së re, Berisha mbetet ende i paqartë për orientimin që do të ndjekë Partia Demokratike.
“Në ditët e ardhshme do të mblidhen forumet e partisë dhe do të merren vendimet përkatëse,” – deklaroi ai, kur u pyet për qëndrimin e PD-së në raport me mandatet.
Nga ana tjetër, Blushi u shpreh se opozita nuk do të tërhiqet: “E vetmja rrugë është asnjë hap pas. I referohem betejës së Stalingradit. Nuk do të ketë as bojkot e as dorëzim mandatesh nga Partia e Lirisë, pasi ky eksperiment u provua më parë dhe rezultoi tradhti ndaj opozitës dhe vendit. Sigurisht që do të ketë protesta dhe aksion të ashpër politik”.
Për krijimin e një grupi parlamentar nevojiten të paktën shtatë deputetë. Gazetarja e Top Channel, Elda Menga, raporton se demokratët janë të gatshëm të përdorin të njëjtin mekanizëm edhe me aleatë të tjerë, si Mediu, Dule apo deputetja e Dukës. Në këtë mënyrë, në legjislaturën e re opozita pritet të ketë të paktën tre grupe parlamentare, falë transferimit të deputetëve të PD-së drejt forcave të vogla që Berisha kishte përfshirë në listat zgjedhore.



