Në 113-vjetorin e Pavarësisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dërguar urime që fokusohen tek populli dhe institucionet e Shqipërisë, duke shmangur përmendjen e qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Mesazhet, të dërguara nga presidenti Donald Trump dhe Sekretari iShtetit, Marco Rubio , theksojnë rëndësinë e partneritetit në siguri, stabilitet rajonal dhe luftën kundër grupeve kriminale ndërkombëtare, përfshirë kartelet e drogës.
Urimi i DASH
“Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria gëzojnë një partneritet të fortë, të ndërtuar mbi angazhimin e përbashkët për një të ardhme më të sigurt e të begatë. Aleanca jonë në NATO është themeli i mbrojtjes sonë reciproke dhe ne e mirëpresim investimin e shtuar të Shqipërisë për sigurinë tonë të përbashkët. Gjithashtu, partneriteti ynë me forcat ligjzbatuese shqiptare i bën qytetarët tanë më të sigurt teksa ne përballemi me kërcënimet që paraqiten prej grupeve kriminale ndërkombëtare, karteleve të trafikut të drogës, si dhe atyre që bashkëpunojnë me ta.
Ne gjithashtu e vlerësojmë bashkëpunimin e ngushtë në adresimin e kërcënimeve kibernetike, si dhe përgëzojmë Shqipërinë për hapat e saj domethënës në sigurinë kibernetike. Teksa shënojmë këtë ditë të veçantë, ne presim të zgjerojmë bashkëpunimin tonë në fushën e sigurisë, lidhjet ekonomike dhe miqësinë e qëndrueshme me Shqipërinë.”
Urimi i Trump
Edhe Donald Trump në urimin dërguar presidentit Bajram Begaj, përmendi luftën ndaj organizatave kriminale. “Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, ju dërgoj urimet tona më të mira juve dhe popullit të Shqipërisë ndërsa festoni pavarësinë tuaj. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria gëzojnë një partneritet të fortë të krijuar nga lidhje të ngushta sigurie, ekonomike dhe njerëzore. Pres me padurim forcimin e bashkëpunimit tonë mbi prioritetet e përbashkëta, duke përfshirë stabilitetin rajonal, përballjen me organizatat kriminale ndërkombëtare dhe zgjerimin e mundësive dypalëshe të biznesit dhe tregtisë. Ju uroj juve dhe popullit të Shqipërisë një Ditë të gëzuar Pavarësie”, shkruan Trump në telegramin e tij dërguar Begajt.
Detajet
Pra mesazhi amerikan në 113-vjetorin e Pavarësisë tingëllon më shumë si një akt paralajmërimi strategjik sesa si një urim festiv dhe në qendër të tij është një ide e qartë: Shqipëria duhet të zgjedhë midis karteleve dhe aleancës me SHBA-të. Kujtojmë se administrata e SHBA dha pak ditë më parë sinjale të qarta se Urdhri Ekzekutiv 14157 i Trump që synon çmontimin global të rrjeteve të drogës dhe organizatave kriminale transnacionale ka nisur të zbatohet në mënyrë të drejtpërdrejtë në Shqipëri.
Goditja e koordinuar e Departamentit të Thesarit kundër grupit Hysa, i lidhur me kartelin meksikan Sinaloa, vjen pasi prej disa javësh Ambasada e SHBA-së në Tiranë kishte paralajmëruar se Uashingtoni do të fillonte “një luftë të pamëshirshme” kundër elementëve kriminalë dhe mbështetësve të tyre në rajon. Kjo ishte një goditje e fortë për Edi Ramën, pasi pikërisht Luftar Hysa dhe Besnik Lulaj, ortakët e kartelit ‘Sinaloa’, sipas mediave meksikane, janë pikërisht personat që në datën 4 tetor të vitit 2020 vizituan zyrën e Ramën nën shoqërinë e deputetit gjerman të CDU-CSU, Mark Hauptmann dhe Dorian Duçkës, që në atë kohë ka qenë këshilltar i kryeministrit për investime nga jashtë.
Më vonë Rama deklaroi se kishin shkuar në zyrën e tij e i kishte dhënë edhe licencë për kazino. Gjithashtu goditjet e fundit të SPAK kanë zbërthyer mekanizmin e funksionimit të 4 bandave kryesore në vend të cilat kanë qenë të lidhura me kryeministrin e vendit në raporte ekonomike, të cilët kanë përfituar leje ndërtimi, tenderë, statuse të investitorit strategjik, tenderë rindërtimi dhe nëpërmjet këtyre investimeve Edi Rama i ka hapur rrugën pastrimit të parave dhe për më shumë financimin e tregtisë së drogës nëpërmjet fondeve të buxhetit të shtetit. Kjo metodë rezultoi aq fitimprurëse sa në përgjimet e komunikimeve të grupit Çela, thuhet shprehimisht se “nuk kemi nevojë për kokainë, se kemi tenderat”, duke e krahasuar fitimin nga paratë publike me atë të trafikut të drogës, duke treguar qartazi se bandat kriminale e kanë forcën dhe burimin e të ardhurave në shtetin e Edi Ramës i cili i ka suportuar direkt me vendime në favor të tyre.



