Në pyllin e Poros, në Vlorë, prej dy ditësh radhazi vijon një zjarr i fuqishëm që po shkrumbon pishat pranë lagunës së Nartës.
Për shkak të sipërfaqes së gjerë që përfshin kjo zonë, vatrat e zjarrit janë përhapur me shpejtësi duke përfshirë një hapësirë të madhe pyjore.
Në terren ndodhen forcat zjarrfikëse, efektivë të ushtrisë dhe Emergjencave Civile, të cilët po punojnë pa ndërprerje për të vënë nën kontroll flakët. Nga ajri janë angazhuar dy helikopterë, ndërkohë që pasditen e sotme disa prej vatrave, të cilat më herët ishin shuar, janë riaktivizuar për shkak të erës së fortë. Retë e dendura të tymit tashmë kanë mbuluar zonën dhe janë drejtuar edhe drejt qytetit të Vlorës.
Të gjitha forcat në vendngjarje po përpiqen të pengojnë përhapjen e flakëve drejt kanalit të hidrovorit.
Zjarri në pyllin e Poros shpërtheu të hënën rreth orës 15:00, fillimisht në fshatin Delisuf të Novoselës, duke u përhapur më pas drejt Pishë-Poros për shkak të erës së fortë dhe bimësisë së dendur. Flakët kanë fituar terren si në gjatësi ashtu edhe në gjerësi, duke depërtuar thellë në pyll.
Ditën e parë në operacion u angazhuan katër helikopterë, ndërsa më pas në vijim të ndërhyrjes mbetën aktivë dy prej tyre.



