Friday, March 6, 2026
Google search engine
BallinaAktualitet“Rikthehen skemat piramidale online! Qindra shqiptarë në rrezik nga mashtrimet”

“Rikthehen skemat piramidale online! Qindra shqiptarë në rrezik nga mashtrimet”

Rikthehen skemat piramidale online! Ekspertët paralajmërojnë: Qindra shqiptarë po bien viktimë të mashtrimeve financiare

“Askujt nuk i vijnë paratë falas” – një mësim që shqiptarët e kanë paguar shtrenjtë me skemat piramidale të vitit 1997. Por pas gati tre dekadash, fenomeni është rikthyer, këtë herë në formë moderne dhe shumë më të sofistikuar: online.

Sot, qindra qytetarë shqiptarë po bien pre e skemave të reja mashtruese, ku u ofrohet blerja e kriptomonedhave që nuk ekzistojnë, ose u premtohet se duke investuar një shumë të caktuar, brenda 40-50 ditësh do të marrin dyfishin e parave.

“Fillimisht investitorit i jepet mundësia të tërheqë një shumë të vogël si për ‘besim’, por më pas i kërkohet komision ose sjellja e një personi të ri në sistem. Duke parë që depozitat po shtohen, investitorët nxisen të fusin edhe më shumë para, deri sa në një moment të caktuar skema shembet dhe pjesa më e madhe e pjesëmarrësve mbetet pa asgjë”, shpjegon Besmir Semanaj, ekspert IT.

Fenomeni është denoncuar së fundmi edhe nga deputeti socialist Erion Braçe, i cili paralajmëron se fermerët e Divjakës po mashtrohen duke menduar se do të fitojnë më shumë nga telefonat e tyre sesa nga puna në arë.

“Kjo skemë ka qendër operimi në vende si Singapori, Hong-Kongu apo Koreja e Jugut, dhe funksionon prej një viti. Ka zhytur fëmijë, të rinj e të moshuar me shuma që variojnë nga 1,000 deri në 50,000 euro. Brenda 45 ditësh, secili pjesëmarrës detyrohet të sjellë dikë tjetër në skemë”, tha Braçe.

Sipas ekspertëve, klientët rekrutohen kryesisht përmes rrjeteve sociale, ku TikTok, WhatsApp dhe Telegram shërbejnë si kanale shpërndarjeje. “Në këto grupe qarkullojnë linqe të rreme, që duken si faqe zyrtare. Përdoruesit ftohen të hedhin para me premtimin e fitimeve të shpejta, por në fund mbeten viktima të një mashtrimi klasik”, thekson Erion Demiri, ekspert i sigurisë dixhitale.

Këto skema, ndonëse të paraqitura si “mundësi investimi moderne”, nuk janë gjë tjetër veçse një përsëritje e tragjedive financiare të së kaluarës, vetëm se këtë herë armiku gjendet pas ekranit.

Artikuj te ngjashem
- Advertisment -
Google search engine

Me Te Klikuarat