Gjykata Kushtetuese vendosi dërgimin e dosjes së Ballukut në mbledhjen e gjyqtarëve për të vlerësuar kriteret e pranueshmërisë, Rama: Kur drejtësia rrëshqet kështu si këtë herë, cënon parimet kushtetuese
Trupa gjykuese në Gjykatën Kushtetuese nuk ka arritur vendimmarrje për ankimin e qeverisë kundër vendimit të GJKKO-së për pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra.
Reagimi i Gjykatës Kushtetuese
Në vijim të njoftimit të mëparshëm për çështjen me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Gjykata bën me dije si vijon:
Kolegji i Gjykatës u mblodh sot në datën 02.12.2025, sipas planifikimit, për shqyrtimin paraprak të kërkesës. Kolegji vendosi kalimin e çështjes në Mbledhjen e Gjyqtarëve për të vlerësuar nëse plotësohen bashkërisht të gjitha kriteret e pranueshmërisë së saj për shqyrtim në seancë plenare në përputhje me nenin 31 të ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese dhe nenin 24 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore.
Vendimmarrja e Mbledhjes së Gjyqtarëve do të njoftohet rregullisht në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese.
Rama reagon sërish
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me dërgimin në Kushtetuese të vendimit të GJKKO-së për pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, pasi u mor e pandehur nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera.
Rama thekson se është mbështetës i mbështetësi më i paepur i Reformës dhe Pavarësisë së Drejtësisë.
Por, sipas tij, “kur drejtësia rrëshqet kështu si këtë herë, cënon parimet kushtetuese”.
“Unë nuk e quaj dot asgjë tjetër përveçse një nga ato rrëzimet e fëmijës kur sapo ka mësuar të eci. Me ndryshimin që kur fëmija i vërtetë rrëzohet, lëndon vetëm vetveten, ndërsa kur drejtësia rrëshqet kështu si këtë herë, cënon parimet kushtetuese, prish balancën mes pushteteve të pavarura dhe ndërhyn brutalisht në procesin qeverisës”, theksoi Rama në një postim në X.
Në reagim kreu i qeverisë shporehet se, sipas tij, askund në botë s’është parë që të pezulllohet nga detyra një anëtar qeverie të pezullohet nga detyra.
“Fjalët e shumta janë fukarallëk, gjeni një rast të dytë në botë ku një prokuror dhe një gjykatës – për më tepër edhe i shkallës së parë fare – pezullojnë nga detyra një anëtar qeverie”, tha ai.
Duke shtuar që: “Se të më thoni që kjo qenka kaq normale, paçka se s’është parë kurrë, askund, në botën demokratike, është njësoj si të më thoni se drejtësia qenka normale vetëm në Shqipëri!”
Fjalët e shumta janë fukarallëk, gjeni një rast të dytë në botë ku një prokuror dhe një gjykatës – për më tepër edhe i shkallës së parë fare – pezullojnë nga detyra një anëtar qeverie!
Se të më thoni që kjo qenka kaq normale, paçka se s’është parë kurrë, askund, në botën demokratike, është njësoj si të më thoni se drejtësia qenka normale vetëm në Shqipëri!
E pra, pavarësisht se nga dita 1 kam qenë, jam e do të jem mbështetësi më i paepur i Reformës dhe Pavarësisë së Drejtësisë, këtë risi botërore të drejtësisë sonë të re, unë nuk e quaj dot asgjë tjetër përveçse një nga ato rrëzimet e fëmijës kur sapo ka mësuar të eci. Me ndryshimin që kur fëmija i vërtetë rrëzohet, lëndon vetëm vetveten, ndërsa kur drejtësia rrëshqet kështu si këtë herë, cënon parimet kushtetuese, prish balancën mes pushteteve të pavarura dhe ndërhyn brutalisht në procesin qeverisës.
Qëllimi i lartë i luftës kundër korrupsionit nuk e justifikon përdorimin e asnjë mjeti të gabuar dhe historia e vendeve që kanë kaluar më parë nga kjo rrugë e domosdoshme, na mëson se justifikimi i mjeteve të gabuara për hir të qëllimit madhor, e kthen kurën me mjete të tilla, në një të keqe edhe më të madhe se sa vetë sëmundja që thuhet se këto mjete po kurojnë. Ky mësim nuk duhet harruar kurrësesi. Nga askush.



