Gjykata e Vlorës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Emanuel Shkëmbin, i cili akuzohet për kanosje me armë zjarri ndaj dy punonjësve të tij. Kujtojmë se ngjarja ka ndodhur tre ditë më parë, në një hotel në Borsh, kur Shkëmbi, pas një konflikti banal, ka nxjerrë një armë tip pistoletë dhe ka kërcënuar punonjësit duke i vënë në rrezik serioz për jetën.
Seanca gjyqësore u mbajt ditën e djeshme nën drejtimin e gjyqtarit, Ertil Meçaj. Prokurori i çështjes paraqiti provat dhe kërkoi që ndaj Shkëmbit të caktohej masa arrest në burg gjë që u pranua edhe nga gjyqtari i çështjes.
Gjykata pranoi kërkesën e prokurorit, duke vendosur që i pandehuri të mbahet në qeli deri në përfundimin e hetimeve.
Pas shpalljes së vendimit, Emanuel Shkëmbi u transferua menjëherë në drejtim të burgut të Fierit, ku do të vuajë masën e sigurisë. Burime pranë hetuesve bëjnë të ditur se armën e përdorur në ngjarje e ka pasur pa leje dhe pritet që ndaj tij të rëndojnë edhe akuza të tjera për armëmbajtje pa leje.



