Saturday, March 7, 2026
Google search engine
BallinaEkonomiKompensimi 10% i TVSH-së, Financat: Përmes autofaturave,

Kompensimi 10% i TVSH-së, Financat: Përmes autofaturave,


Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat nisi diskutimet nen për nen për projektligjet e paketës fiskale.

Për projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë” që sjell skemën e kompensimit të TVSH-së te fermeri, drejtoresha e Përgjithshme e Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave Arjana Dyrmishi shpjegoi se modeli i kompensimit për inputet është marrë nga Direktiva e 2006-s e BE-së e amenduar.

“Skema e kompensimit të TVSH-së që propozojmë është opsionale, duke u mbështetur në dispozitat e Direktivës së BE-së 2006/112/EC, e cila parashikon këtë mekanizëm (të amenduar), si një mundësi e ofruar për vendet me zhvillim bujqësor. Qëllimi i saj është t’u krijojë mundësi fermerëve që nuk janë të regjistruar për TVSH të marrin një formë kompensimi për TVSH-në e inputeve bujqësore që ata përdorin në procesin e prodhimit. Norma e kompensimit nuk ka një përcaktim detyrues në Direktivë, por lidhet me nivelin e TVSH-së së inputeve bujqësore. Në rastin tonë, kjo normë është 10% dhe kjo përqindje është ajo që është propozuar.

Subjektet që kreditojnë TVSH-në, nuk do të jenë subjekt i kësaj skeme”.

Dyrmishi më tej shpjegoi se kompensimi për TVSH-në e inputeve 10% do të përfitohet nëpërmjet autofaturave të lëshuara nga blerësit e produkteve bujqësore, pasi fermerët e pajisur me NIPT nga administrata tatimore, nuk lëshojnë faturë për produktet që shesin.

Sipas Dyrmishit nga 2018 deri në shtator të 2025 me NIPT nga tatimet janë të pajisur 110 mijë fermerë, ku 10,149 fermerë kanë emrin në sistem, pra për të cilët blerësit kanë lëshuar fatura.

“Kur një biznes blen brenda vendit nga persona të patatueshëm, detyrohet të lëshojë autofaturë, pasi shitësi është një person që nuk ka NIPT dhe nuk është subjekt i tatimeve. Ligji parashikon qartë se, në mungesë të faturës së shitësit, faturën e lëshon blerësi.

Kjo nuk vlen vetëm për grumbulluesit ose importuesit, por për çdo biznes që kryen furnizime nga subjekte të patatueshme.

Në rastin e fermerit, situata është e veçantë. Fermeri nuk është i regjistruar në QKB, dhe NIPT-i i tij nuk lëshohet nga QKB, por nga Administrata Tatimore vetëm për qëllime identifikimi. Për shkak se ai nuk është person i tatueshëm, nuk ka detyrim të lëshojë faturë shitjeje.

Për këtë arsye, kur një biznes blen fruta ose perime brenda vendit nga fermerë të patatueshëm, edhe pse TVSH-ja është 0%, ai është i detyruar të lëshojë faturën e blerësit (autofaturën), që dokumenton transaksionin”, pohoi ajo.

Skema e kompensimit të TVSH-së për fermerët u mbështet nga deputetët e komisionit, por ata kërkuan që Ministria e Financave të merret parasysh edhe kërkesa e grumbulluesve dhe përpunuesve për barazim të TVSH-së në blerje dhe shitje, me qëllim shtimin e blerjeve të tyre te fermerët.

“Skemën e fermerit për kompesim bëjeni si të doni, po të flas për TVSh në blerje dhe shitje për grumbulluesit dhe përpunuesit. Po nxirrni jashtë tregje publike që ekzistojnë sot në Shqipëri. Duhet të rregullohet TVSh-ja e grumbulluesit, sepse nuk kanë asnjë interes për të blerë produkte brenda vendit, sepse janë më të lira jashtë psh. karrota sesa ta blesh në Divjakë”, pohoi deputeti i Partisë Socialiste Erjon Braçe.

Drejtoresha e Përgjithshme e Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave Arjana Dyrmishi tha se janë marrë të dhënat e importeve për të gjitha produktet blegtorale për tre vitet e fundit dhe se TVSH-ja nuk përbën kosto për bizneset.

“Ajo paguhet në doganë, por më pas kreditohet sipas rregullave të TVSH-së, duke neutralizuar efektin financiar. Nga analiza e të dhënave rezulton qumështi për litër që shet fermeri ynë ësjhtë më i lirë sesa ai i importit”.

Në përfundim të diskutimeve, projektligji u miratua në terësi për t’i kaluar seancës plenare.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.



Source link

Artikuj te ngjashem
- Advertisment -
Google search engine

Me Te Klikuarat