Kryeministri Edi Rama ka bërë ndryshime të reja në qeveri. Mësohet se në mbledhjen e sotme të qeverisë, Xheni Beqaj është emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit. Por kush është Xheni Beqaj? Ky emër është përmendur edhe më parë në media nga gazetarja Klodiana Lala, e cila publikoi vitin e kaluar një listë të emërimeve që, sipas saj, lidhen me rrethin familjar të Ergys Agasit, një nga personat më të përfolur për ndikim të fortë në disa institucione të qeverisë. Sipas kësaj liste, Beqaj është përmendur si kunati i Fatmir Troplinit, dhe më herët ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Targave dhe Patentave. Ai është vetëm një nga emrat që, sipas publikimit të Lalës, lidhen me familjarë të Agasit të vendosur në pozicione drejtuese. Në listën e publikuar vitin e kaluar renditeshin edhe: Gerti Hoxha, djali i hallës së Ergys Agasit – Drejtor rajonal i OSHEE për Qarkun Durrës; Arsen Agasi, djali i xhaxhait të tij – Shef i AKU për Portin; Klesti Çela, kunati i Agasit – Drejtor i ASHK, Tirana Rurale.
Po kush është vetë Ergys Agasi?
Figura e tij u bë e njohur më gjerësisht pas intervistës së ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj në televizionin italian Rai3. Ahmetaj ngriti akuza të forta për kryeministrin Rama, duke pretenduar se ky i fundit ka lidhje me grupe të krimit të organizuar dhe se koordinatori i këtyre lidhjeve është pikërisht Agasi. Sipas Ahmetajt, Agasi vepron nga Durrësi, pranë një klani të njohur atje. Ahmetaj shtoi edhe një tjetër akuzë, duke thënë se në ambientet e Kryeministrisë, Rama konsumon një verë me çmim 33,600 dollarë, të cilën e ndan me “koordinatorin e krimit”, duke iu referuar Agasit.



