Saturday, March 7, 2026
Google search engine
BallinaEkonomiLehtësohen ndërtuesit, çmimet e materialeve po rriten me pak se inflacioni

Lehtësohen ndërtuesit, çmimet e materialeve po rriten me pak se inflacioni


Çmimet e materialeve të ndërtimit po rriten me ritme më pak se inflacioni, duke i lehtësuar ndërtuesit nga barra e kostove dhe duke ju lënë më shumë hapësira për fitime.

Sipas të dhënave INSTAT Indeksi i Kushtimit në Ndërtim, në tremujorin e tretë 2025 u rrit 1,4 %, teksa në të njëjtën periudhë inflacioni është rritur më shumë se 2.4%.

Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shpenzime për paga” me 6,6 %, pasuar nga grupet “Shpenzime makinerie” dhe “Kosto të tjera” përkatësisht me 2,4 % secili dhe “Shpenzime transporti” me 1,7 %.

Nga ana tjetër grupi “Shpenzime materiale” shënoi ulje me 0,6 %. Brenda grupit “Shpenzime materiale”, indeksi i nëngrupeve “Materiale ndërtimi” dhe “Materiale elektrike dhe komunikimi” shënuan uljen më të lartë përkatësisht me 0,6 % secili, pasuar nga grupi “Materiale hidro-sanitare dhe ventilimi” me 0,2%.

Indeksi i Kushtimit në Ndërtim shënoi rritje me 0,4 %, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025. Rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shpenzime për paga” me 1,1 %, pasuar nga grupet “Shpenzime transporti” me 0,8 %, “Shpenzime makinerie” me 0,5 % dhe “Kosto të tjera” me 0,1 %.

Nga ana tjetër, grupi “Shpenzime materiale” ka shënuar ulje me 0,1 %. Brenda këtij grupi, ulje pati nëngrupi “Materiale ndërtimi” me 0,3 %. Ndërsa, nëngrupi “Materiale elektrike dhe komunikimi” shënoi rritje me 0,6 %, pasuar nga nëngrupi “Materiale hidro-sanitare dhe ventilimi” me 0,1 %.

Indeksi i Kushtimit në Ndërtim (për Banesa) (IKN) mat ecurinë e çmimeve të materialeve të ndërtimit, të fuqisë punëtore dhe të shpenzimeve të tjera kapitale që përdoren në ndërtimin e një banese tip (8 – 10 kate).

IKN është një tregues i rëndësishëm ekonomik për sektorin e ndërtimit. Indeksi përdoret si deflator për llogaritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe Indekseve të ndryshme të volumit, përdoret nga Institucionet Qeveritare, Banka Qendrore e Shqipërisë, Organizata të tjera joqeveritare, Banka Botërore, FMN etj.

Peshat e shportës së materialeve janë llogaritur duke u bazuar në preventivat e shpenzimeve për ndërtimin e një banese shumëkatëshe marrë nga firmat e ndërtimit. Shporta e re përbehet nga 71 zëra nga të cilat 66 janë materiale ndërtimi.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.



Source link

Artikuj te ngjashem
- Advertisment -
Google search engine

Me Te Klikuarat