Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të ndërhyrje në dy destinaicone të ndryshme përmes dy procedurave të prokurimit të hapura këtë të enjte në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik ku fondi total llogaritet në 874 milionë lekë apo rreth 8.8 milionë euro.
Konkretisht bëhet fjalë për kontratën me objekt “ Investime për infrastrukturën e tregjeve, hapësirave tregtare, multifunksionale, rrugë tregtare në zona model zhvillimi, etj. Faza III Rajonet 1&2:Ndërhyrje për rritjen e ofertës turistike dhe për përmirësimin funksional dhe estetik të bregdetit, Bashkia Durrës” me fond limit 540 milionë lekë apo 5.5 mln euro.
Kontrata e dytë është ajo me objekt ““Investime për Infrastrukturën e tregjeve, hapësirave tregtare, multifunksionale, rruge tregtare në zona model zhvillimi, etj. Faza II: Tregu Milot” me fond limit 330 milionë lekë apo 3.3 milionë euro.
Ndërhyrja në Durrës
FSHZH parashikon të ndërhyjë në Durrës që përfshin rivelimin e një sipërfaqeje rreth 544 mijë m2, e cila përfshin zonën nga porti i Durrësit deri tek Kavalishenca.
“Ky projekt ka për qëllim të transformojë zonën bregdetare të qytetit të Durrësit në një destinacion bashkëkohor turistik, rekreativ dhe urban, përmes ndërhyrjeve arkitekturore dhe urbane të planifikuara me kujdes.
Ai përfshin zgjerimin e plazhit ekzistues, krijimin e një parku linear të gjelbër përgjatë vijës bregdetare, zhvillimin e hapësirave publike shumë funksionale dhe integrimin e infrastrukturave të reja rekreative dhe sportive.
Gjatësia e zonës së ndërhyrjes është rreth 2.8 km, me një zgjerim të vijës bregdetare deri në 100 metra drejt detit, duke krijuar hapësira të reja publike për banorët dhe vizitorë”, thuhet në dokument.
Ndërhyrja në Milot
Ndërhyrja në Milot parashikon ndryshimin e atij që sot është tregu aktual i Milotit. Sipas dokumenteve ky treg ka një histori të gjatë, i cili sipas edhe tregtarëve është mbi 200-vjeçar si treg i cili u shërben tregtarëve dhe blerësve çdo të dielë.
“Ai shtrihet përgjatë rrugës “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, në një pozitë shumë të favorshme gjeografike dhe strategjike, ku ngjitur ka Rrugën e “Kombit”, lumin Mat, hekurudhën si dhe qytezën e Milotit me rrethinat përreth, pikë shumë kyçe për gjithë tregtarët e gjithë veriut dhe jo vetëm. Gjendja e tregut aktual është e mjerueshme” thuhet në raportin teknik të projektit.
Ndërhyrjet e propozuara në këtë projekt përfshijnë pesë zona kryesore, të cilat do të trajtohen gjatë fazës së parë, si dhe një zonë shtesë, e cila do të realizohet në një fazë të dytë. Përveç këtyre zonave, projekti përfshin edhe ndërhyrjen në rrugë, si boshti kryesor i qarkullimit dhe organizimit të hapësirës.
Për ta përmbledhur, projekti përfshin disa zona funksionale të tregut, secila me karakteristikat dhe rolin e saj specifik:
· Zonat e parkimit dhe magazinimit (Zona 1 dhe 2),
· Kompleksi i shërbimeve (Zona 3),
· Hapësira rekreative (Zona 4),
· Tregu i gjësë së gjallë dhe thertorja (Zona 5),
· Rruga dhe tregu industrial, dhe
· Kapanonet e stacionit të trenit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.











