Bashkia e Sarandës do të ndërhyjë në dy rrugë të Ksamilit sa i takon ndërtimit të trotuareve për këmbësorët si dhe rikualifikimit i rrethimeve anësore.
Në një procedurë prokurimi të çelur këtë të premte saktësohet se cilat do të jenë ndërhyrjet konkrete që do të bëhen në këto rrugë.
E para është ndërhyrja në rrugën “Lefter Talo – Sami Frashëri” me një gjatësi 1054 metra. Sipas dokumentit rruga ka nevojë për ndërtimin e trotuareve dhe rikualifikimin e rrethimeve anësore në rrugët e brendshme, pra nuk do të ketë prishje të rrugës ekzistuese.
“Projekti fillon me zgjerime për të krijuar aksesin e kalimit të këmbësorëve, ku sipas preventivit të punimeve do të kemi punime gërmimi, punime struktura prej betoni, transport e marrje materialesh si dhe sistemimin e zonës për vazhdimin e fazës tjetër që janë ndërtimi i mureve mbajtës për krijimin e gjerësisë së nevojshme prej 1.5 m në secilën anë të rrugës.
Në vijim do të kemi punimet e shtresave të trotuarit sipas profilit tip të rrugës, gjithashtu do të kemi mbushje me cakëll pas mureve mbajtës. Pas përfundimit të këtyre punimeve do të kemi ndërtimin e mureve rrethues h=70-90 cm sipas terrenit, të cilët do të vishen me pllakë guri dekorativ.
Sipër murit do të vendosen dhe zgara dekorative hekuri me konfiguracion mesatar me diametër të shufrës 1 cm dhe peshë specifike 0.79 kg të vendosura çdo 15 cm”, thuhet në dokument.
Rruga tjetër ku do të ndërhyhet është ajo “Ibrahim Rugova” në një gjatësi 370 metra ku do të bëhet ndërtimi i trotuareve dhe rikualifikimi i rrethimeve anësore në rrugë.
Projekti fillon me zgjerime për të krijuar aksesin e kalimit të këmbësorëve.
Fondi limit për procedurën është llogaritur në 74.9 milionë lekë apo rreth 750 mijë euro. Bashkia e argumenton këtë ndërhyrje si të nevojshme për të sjellë në kushte të përshtatshme rrugët e Ksamilit që konsiderohet një nga destinacionet më të frekuentuara dhe marketuara për potencialin e tij turistik.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.



