Saturday, March 7, 2026
Google search engine
BallinaPolitikeDhunë dhe tensione në Kuvend nga deputetët e PD, Endrit Shabani betohet...

Dhunë dhe tensione në Kuvend nga deputetët e PD, Endrit Shabani betohet mes flakadanëve dhe i përshëndet me puthje


Dhunë dhe tensione në Kuvend nga deputetët e PD, Endrit Shabani betohet mes flakadanëve dhe i përshëndet me puthje

Kuvendi i Shqipërisë u kthye në arenë përleshje mes deputetëve të Partisë Demokratike dhe Gardistëve. 60 minuta, kaos, përplasje fizike dhe flakadanë, mbizotëruan seancën e fundit plenare për këtë sesion, me ligjvënësit demokratë që kishin zaptuar karriget e kabinetit qeveritar për të protestuar për tre çështje: Betimin e Endri Shabanit si Avokat Populli, dosja e AKSHI-t dhe çështja e Belinda Ballukut. Dy deputetët më të zellshëm që organizuan kaosin ishin Flamur Noka e Klevis Balliu që u përjashtuan nga seanca nga kryeparlamentari Niko Peleshi, i cili kaloi direkt në votim me propozim të PS.

Pa nisur zyrtarisht seanca plenare opozitarët ishin futur në sallën e Kuvendit dhe disa prej tyre kishin zaptuar karriget e ministrave, mes të cilëve Flamur Noka, Elda Hoti, Klevis Balliu, Luan Baçi, Saimir Korreshi, Luçiano Boçi, Gjin Gjoni apo Bledion Nallbati. Noka edhe Balliu kapërcyen edhe mbi tavolina për të zënë karriget e ministrave dhe u përplasën fizikisht me punonjësit e Gardës, të cilët i spostuan deputetët opozitarë në një anë të karrigeve të kabinetit të ministrave. Flamur Noka “luftoi” për të zënë karrigen e Niko Peleshit dhe pas shumë sforcosh u ul në karrigen e numrit 2 të qeverisë, Balluku. Forcat e Gardës u shtuan menjëherë pasi Sali Berisha urdhëroi deputetët e tij që të ngjiten tek karriget e ministrave.

Grupi tjetër i demokratëve ishin pozicionuar në foltoren e Kuvendit dhe po zhvillonin betejën verbale me ministrat e deputetët socialistë. Në kor opozita kërkoi në sallë numrin 2 të qeverisë, për të cilën SPAK ka kërkua autorizim nga Kuvendi për arrestim, ndërsa akuzuan mazhorancën se po mbrojnë Ergys Aagasin, i shpallur në kërkim pas hetimit për abuzimet me tenderët e AKSHI-t.

“Sillni Agasin këtu Kam të dhëna që Balluku ia ka mbathur”, tha Berisha.

“Niko ke mbyllur Belindën në kasafortë, na jep dokumentet”, tha Gazment Bardhi.

“Do ikësh me Belindën, mbylle gojën, mbylle gojën o shamia e qyrreve të Belindës. Mbylle gojën miush”, i tha Bardhi-Lamallarit.

Seanca plenare nisi me vonesë pas përplasjeve të vazhdueshme fizike mes gardës dhe opozitarëve, derisa kryeparlametari Niko Peleshi vendosi të futet në sallë për të vijuar me punimet plenare. Por, në këtë moment opozita nisi “betejën” me flakadanë. I pari ishte Belind Këlliçi që ndezi flakadan, ndërsa pjesa tjetër e opozitarëve lëshuan në drejtim të ministrave dhe Peleshit, ujë, shishe plastike, kartonët e votimit e deri te mikrofonët e sallës, të cilët i shkulën. Opozitarët e tjerë, ata të Partisë së Lirisë dhe Partisë Mundësia nuk iu bashkuan kaosit.

Në këtë mori përplasjesh bëri betimin edhe Avokati i ri i Popullit, Endri Shabani, i cili protestës së opozitës kundër tij iu përgjigj me një përshëndetje me puthje dhe u largua nga salla. “Prositutë”, i tha Klevis Balliu, i cili u përjashtua nga Niko Peleshi dhe dha 5 minuta pushim.

Pas kthimit në sallë opozita vijoi përplasjen derisa rrëzuan karrigen e Belinda Ballukut. Flakadanët vijuan të ndizeshin në sallë nga të tjerë deputetë, Albana Vokshi apo Fidel Kreka. Në këtë moment, shefi i Gardës ndërhyn t’i marrë flakadanin Krekës, por u gjend përballë përplasjes me deputetët e opozitës, mes tyre edhe Flamur Noka që i derdhi ujë në kokë. Situata u tensionua aq sa shefi i gardës u ngjit për tu përplasur me Nokën, por ndërhynë kolegët e tjerë dhe situata u normalizua. Edhe Flamur Noka u përjashtua nga salla dhe më pas me propozim të PS u kalua direkt në votim dhe të gjitha projektligjet e ditës u miratuan vetëm me votat e mazhorancës.

“Sa herë që Kosova ka një festë, Saliu e bën një dëm në Shqipëri”, tha Taulant Balla pas përfundimit të Kuvendit.

Parimisht kjo ishte seanca e fundit për këtë sesion parlamentar, por demokratët, siç e konfirmoi edhe Gazment Bardhi pas mbledhjes së grupit,  pritet të kërkojnë seancë të jashtëzakonshme për kaluar në votim kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit për Ballukun.

Kërkesa e PS

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste i ka dërguar kërkesë kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi ku i kërkohet marrja e masave disiplinore për 29 deputetë të opozitës.

Për Belind Këlliçin, Fidel Kreta, Albana Vokshi, Ledina Alolli dhe Denisa Vata kërkohet 60 ditë përjashtim nga aktivitetet parlamentare pasi kanë futur në parlament dhe kanë përdorur lëndë apo mjete piroteknike dhe tymuese, referuar këtu flakadanëve të ndezur në seancë. Deputetët Flamur Noka dhe Klevis Balliu janë përjashtuar gjatë seancës plenare pas kaosit që krijuan dhe gjuhës joparlamentare të përdorur. Ndaj tyre mazhoranca kërkon përjashtimin për 60 ditë.

Për deputeten Elda Hoti është kërkuar të përjashtohet me 30 ditë nga aktivitetet e Kuvendit pasi ka dëmtuar pajisjet e parlamentit, referuar shkuljes së mikrofonave dhe ka goditur punonjësit e Gardës, thuhet në kërkesën e PS-së. Gjithashtu për 30 ditë kërkohet dhe përjashtimi i Gazment Bardhit dhe Sali Berishës, për të cilët mazhoranca thotë se anë penguar zhvillimin e rregullt të seancës dhe kanë thyer Kodin e Sjelljes me gjuhën e përdorur.

PS ka kërkuar përjashtimin me 10 ditë të deputetëve esart Xhaferri, Xhelal Mziu, Bledjon Nallbati, Luçiano Boçi dhe Saimir Korreshi pasi kanë penguar zhvillimin e rregullt të seancës, kanë shkaktuar kaos dhe kanë dhunuar punonjësit e Gardës.

Me 10 ditë kërkohet dhe përjashtimi i deputetëve Edi Paloka, Ina Zhupа, Klodiana Çapja, Oerd Bylykbashi, Enno Bozdo, Tomorr Alizoti, Ivi Kaso, Gent Strazimiri, Luan Baçi, Bledi Himçi, Greta Bardeli, Manjola Luku, Flamur Hoxha, Kliti Hoti, pasi kanë penguar zhvillimin e seancës parlamentare.

Mazhoranca thotë se ky skenar i zhvilluar ditën e sotme u organizua nga drejtues të Partisë Demokratike. Disa flakadanë u ndezën nga opozita, shishe dhe ujë që u hodhën në drejtim të kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi e punonjësve të Gardës, prishja e mikrofonëve, zaptimi i karrigeve të ministrave dhe gjuha joparlamentare e përdorur, janë disa prej episodeve të Parlamentit sot.

Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi ka reaguar pas seancës së sotme parlamentare ku opozita ktheu në kaos sallën. Peleshi thotë se interesi i shtetit prevalon mbi interesin politik dhe se deputetët duhet të mbajnë përgjegjësi për sjellet që cënojnë dinjitetin e funksionimin e Kuvendit.

Peleshi thotë se një parti nuk mund të pretendojë se përfaqëson të vërtetën e vetme dhe nuk duhet harruar që të gjithë i shërbejnë qytetarëve të republikës.

Peleshi e përmbyll reagimin e tij duke i shprehur mirënjohjen punonjësve të Gardës dhe shërbimeve të Kuvendit.

Reagimi i Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshit për seancën plenare

“Kuvendi i Shqipërisë nuk është thjesht një vend debatesh, por institucioni ku fjala dhe sjelljet e deputetëve duhet të mbajnë e dëshmojnë peshën e përgjegjësisë dhe t’u shërbejnë mirëkuptimit, jo përçarjes. Çdo sjellje që shkel etikën, respektin dhe rregullat e funksionimit të Kuvendit dëmton rëndë dinjitetin, cënon përfaqësimin dhe besimin e qytetarëve. Detyrimi ynë është të bashkëpunojmë për zgjidhje në të mirë të vendit, të zhvillojmë dialog serioz, jo të krijojmë kaos.

Mbi interesin politik qëndron interesi i shtetit. Asnjë forcë politike nuk mund të pretendojë se përfaqëson e vetme të vërtetën dhe asnjë ndarje partiake nuk duhet të na bëjë të harrojmë se të gjithë shërbejmë për të njëjtin vend dhe për të njëjtët qytetarë. Institucionet e Republikës janë vlerë e përbashkët, jo arena për beteja personale apo partiake. Ruajtja, forcimi dhe respektimi i tyre është përgjegjësi që na bashkon përtej ndarjeve tona politike. Vetëm kur e vëmë shtetin mbi partinë, mund të ndërtojmë një Shqipëri më të fortë për brezat që vijnë. Respekti për Kuvendin është respekt për Republikën, respekt për qytetarët.

Mirënjohje për punonjësit e Gardës së Republikës dhe të shërbimeve të Kuvendit, për korrektesën dhe përgjegjësinë në kryerjen e detyrës.”

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, ka reaguar sot pas seancës plenare me tensione në Kuvend, duke theksuar se mazhoranca ka përmbushur detyrimin kushtetues për të votuar ligje në shërbim të qytetarëve, pavarësisht përpjekjeve për bllokim të punimeve. Ministri kritikoi ashpër sjelljen e opozitës, duke theksuar se seanca nuk u shoqërua me debate parlamentare apo përplasje argumentesh, por me akte dhune dhe kaosi. Ai nënvizoi se mazhoranca e ka bërë të qartë që në fillim të sesionit parlamentar se dhuna nuk është dhe nuk do të jetë kurrë alternativë politike.

Sipas ministrit, projektligjet u miratuan sepse shteti nuk mund të ndalet dhe nuk mund të dorëzohet përballë papërgjegjshmërisë. Në fund të reagimit, ministri theksoi se mazhoranca ka zgjedhur një rrugë tjetër. “Ne kemi zgjedhur ligjet, punën dhe shërbimin për qytetarët. Ata kanë zgjedhur sherrin në ekran, ne zgjedhim vendimet për shqiptarët”, tha ai, duke shtuar se Parlamenti është shtëpia e demokracisë dhe nuk mund të kthehet në skenë dhune.



Burimi Shekulli.com.al

Artikuj te ngjashem
- Advertisment -
Google search engine

Me Te Klikuarat