Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, ka kritikuar ashpër qëndrimin e kryeministrit Edi Rama lidhur me mosheqjen e imunitetit të ministres Belinda Balluku, duke e cilësuar të pabazë arsyetimin e tij që lidhet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Qorit, një kryeministër që mban përgjegjësi politike do ta kishte larguar Ballukun nga detyra menjëherë pas kërkesës së SPAK, pa pritur zhvillime të tjera ligjore. Ai thekson se zvarritja e këtij vendimi nuk ka të bëjë me respektimin e institucioneve, por me kalkulime politike.
Qori shprehet se Rama po ndjek një strategji të dyfishtë, ku sipas tij, nga njëra anë, po i garanton mbrojtje politike Ballukut dhe, nga ana tjetër, po përpiqet të fitojë kohë për të ulur tensionin e protestave qytetare, veçanërisht atyre të organizuara nga Lëvizja Bashkë.
Në reagimin e tij publik, Qori nënvizon se pretendimi i Ramës për kontroll mbi institucionet e drejtësisë nuk qëndron, duke shtuar se as SPAK dhe as GJKKO nuk varen nga vullneti i kryeministrit. Sipas tij, Rama nuk ka asnjë mjet për të ndikuar në proceset ligjore apo për t’i ofruar Ballukut garanci në këmbim të heshtjes.



