Deputeti demokrat, Ivi Kaso deklaroi sot se Partia Demokratike është instrumenti i vetëm politik dhe shoqëror që mund ta përmbysë neodiktaturën me të cilën përballet vendi.
Në fjalën e tij në “Foltoren” në Korçë, Kaso u shpreh se është detyrë e demorkatëve që jo vetëm të mbajnë gjallë flamurin e PD-së, por edhe t’u ofrojë qytetarëve shqiptarë rrugën drejt vlerave të BE-së.
“27 dhjetori përkon edhe me 35-vjetorin e themelimit të kësaj dege. Mblidhemi sot për një përvjetor, një moment reflektimi. Sot e mbajmë gjallë këtë flamur; ai është dëshmi e forcës dhe vitalitetit.
Kemi parë përpjekje për të vjedhur flamurin dhe vulën, por falë sakrificës suaj, sot jemi alternativa kryesore për qeverisjen e vendit. Ky është gjithashtu një moment reflektimi: varfëria dhe padrejtësia janë bërë pjesë e përditshmërisë. Fermerët janë në pikë të hallit, të rinjtë nuk gjejnë mbështetje, gjyqësori është në kolaps dhe krimi ka kapur zgjedhjet.
Megjithatë, edhe sot ka shpresë dhe ajo është PD. Ajo është instrumenti i vetëm politik dhe shoqëror që mund ta përmbysë këtë gjendje. Nuk mund të heshtim. Misioni ynë është përmbysja e neodiktaturës. Jemi gati t’u ofrojmë qytetarëve rrugën drejt Europës së vlerave,”- tha Kaso.



